Sot pritet të mbahet mbledhja e tretë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Pejës për vitin 2026, në të cilën janë paraparë 11 pika të rendit të ditës.
Njëra ndër çështjet që pritet të marrë vëmendje është shqyrtimi dhe miratimi i raportit të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera për periudhën janar 2025 – shkurt 2026.
Kjo pikë konsiderohet me interes të veçantë për qytetarët, pasi lidhet me dëmet e shkaktuara në zona të ndryshme të komunës dhe masat që pritet të ndërmerren nga institucionet komunale.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohet edhe çështja e Hartës Zonale, përkatësisht ndryshimi dhe plotësimi i saj, një temë që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin urban dhe planifikimin hapësinor në qytet.
Po ashtu, pjesë e rendit të ditës janë edhe menaxhimi i pronave komunale, rekomandimet e auditorit, funksionimi i këshillave lokalë si dhe raportet tremujore financiare të Komunës së Pejës.
Mbledhja pritet të sjellë diskutime rreth disa prej çështjeve më të rëndësishme që prekin administrimin dhe zhvillimin e komunës./Pejanefokus.net/Lajme/
