Pas ankesave dhe protestave të banorëve të Rugovës, është zhvilluar një takim në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku janë trajtuar shqetësimet e tyre për zhvillimin e zonës.
Deputeti nga Peja, Taulant Kelmendi, ka bërë të ditur se në takim me Ministren Fitore Pacolli janë diskutuar çështje që lidhen me lehtësimin e procedurave për banorët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Rugovës.
“Çdo banor që dëshiron të rinovojë objektet ekzistuese apo të ndërhyjë rreth atyre objekteve për nevoja të jetesës nuk do të pengohet në qarkullimin e lirë. Ministria kujdeset që këto pëlqime të lejohen brenda ditës.”
Ai ka shtuar se është ritheksuar edhe nevoja për përshpejtimin e Planit Urbanistik për zonën e Rugovës.
“E përsërisim kërkesën tonë që kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, sa më shpejt të fillojë me hartimin e Planit Urbanistik. Nëse nuk ka kapacitete logjistike, shprehim gatishmërinë tonë për ta mbështetur në këtë proces shumë të rëndësishëm.”
Takimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga banorët për zbatimin e rregullave në zonën e Parkut Kombëtar dhe zhvillimin e mëtejshëm të Rugovës./Pejanefokus.net/Lajme/
Kliko linkun e lajmit paraprak: https://www.facebook.com/share/p/194VvPuhzb/
