Shkolla fillore “Vaso Pashë Shkodrani” dhe ajo në fshatin Vitomiricë po përballen me probleme në ngrohje për shkak të mungesës së trafove dhe energjisë elektrike, ndërsa çerdhja në Vitomiricë nuk po funksionon.

Drejtoresha e shkollës “Vaso Pashë”, Syndyze Loxha, tha për Peja në Fokus: “Jo, nuk është rregulluar problemi. Jemi pa rrymë, pa trafo. Sot në mëngjes gjeneratori vetëm se u prish sapo filloi mësimi për shkak të ngarkesës së madhe. Tash ka ardhur teknika dhe po e riparonim. Po vazhdojmë mësimin, për momentin nuk ka ftohtë sepse mirëmbajtësi e ka aktivizuar ngrohjen që në ora 5:30 të mëngjesit. Nëse nuk rregullohet problemi, nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Jemi në kontakt me Drejtoratin e Arsimit dhe Komunën dhe po mundohemi për mirëqenien e nxënësve.”

Drejtori i Drejtoratit të Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, shtoi: “Deri sa të vendosen trafot ka probleme. Për shkollën ‘Vaso Pashë’ KEDS ka dhënë pëlqimin pardje, tash ata duhet të lejojnë punëkryesin për vendosjen e trafos. Mirëpo, kemi problem edhe me gjeneratorin. Kryesorja po e tejkalojmë. Për shkollën në Vitomiricë, derisa të vendoset trafoja po përdoren disa nxemëse dhe shkolla është e ngrohtë. Çerdhja nuk po funksionon; disa fëmijë janë shpërndarë në pika të tjera të çerdheve, disa kanë mbetur në shtëpi.”
Peja në Fokus ka nisur edhe pyetje për KEDS për të sqaruar masat që do të ndërmerren për vendosjen e trafove dhe furnizimin me energji. Publiku do të riinformohet sapo të pranohet përgjigjja nga KEDS./Pejanefokus.net.
