Edukatorja e kopshtit “Pëllumbat e Paqes” rrefen incidentin ku u lëndua

Pejë, 16 janar 2026 – Edukatorja Valbona Bytyqi ka treguar versionin e saj të incidentit që ndodhi më 13 janar në kopshtin “Pëllumbat e Paqes”, ku ajo mori lëndime të rënda gjatë një ore edukative.

Siç shkruan ajo në Facebook:

“Të dashur fëmijë, kolege të dashura dhe prindër të nderuar, ju falënderoj nga zemra për kujdesin dhe përkrahjen që më keni dhënë në këtë moment të papritur për mua.

Gjatë një ore mësimore në sallën e edukatës fizike, ku përdorim pajisje të ndryshme për aktivitetet e fëmijëve, ndodhi një situatë e papritur: një fëmijë me nevoja të veçanta arsimore e hoqi nga vendi mbajtësen e trampolinës dhe vrapoi drejt korridorit me të në dorë. Unë reagova menjëherë për ta ndalur, por për një moment ai u kthye dhe më goditi në kokë, me ç’rast mu keqësua gjendja. I njejti fëmijë shpesh ka shpërthime vështirë të menaxhueshme për çka kemi biseduar me prindërit e tij për konsulta me mjekët për përdorimin e terapisë si dhe për metodat që ata përdorin për menaxhimin e tij.

Ju lutem të mos keqinterpretohet situata pa qenë të informuar saktë. Ndihem mirë që kam qenë aty dhe kam arritur të ndaloj diçka që mund të kishte pasoja më të rënda për fëmijët tjerë prandaj i drejtohem strukturave kompetente që së paku gjatë vlerësimeve pedagogjike-psikologjike për FMNVA vështirë të menaxhueshëm të sigurohen asistent! Unë ndihem krenare që fëmijët me NVA në institucionin ku punoj trajtohen dinjitetshëm, me profesionalizëm dhe dashuri! Rasti në fjalë besoj nuk duhet të etiketohet si “krim” sepse gjithësesi bëhet fjalë për një fëmijë!

Aktualisht jam në rikuperim, por shumë shpejt do të rikthehem në punë me të njëjtin përkushtim që kam pasur gjithmonë ndaj fëmijëve të IP “Pëllumbat e Paqes”.

Faleminderit nga zemra Drejtoreshës, stafit dhe kolegeve të mia për mbështetjen dhe fjalët e mira.”/Pejanefokus.net.

Lajmi paraprak në link: https://pejanefokus.net/incident-ne-peje-lendohet-edukatorja-e-nje-kopshti/

LEXO EDHE: