Kafeja në sasi të moderuar lidhet me shëndet më të mirë mendor

Një studim i ri sugjeron se konsumimi i kontrolluar i kafesë, rreth 2 deri në 3 filxhanë në ditë, mund të ketë efekt mbrojtës ndaj disa çrregullimeve të shëndetit mendor, sidomos tek meshkujt.

Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore “Journal of Affective Disorders” dhe i bazuar në të dhëna nga mbi 460 mijë pjesëmarrës, ka gjetur një lidhje mes konsumit të moderuar të kafesë dhe rrezikut më të ulët për probleme mendore.

Sipas studiuesve, ky efekt mund të lidhet me përbërësit bioaktivë që gjenden në kafe dhe ndikimin e tyre në proceset inflamatore në organizëm.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se konsumi i tepërt i kafesë – mbi pesë filxhanë në ditë – mund të ketë efekt të kundërt dhe të rrisë rrezikun për çrregullime të ndryshme, duke e bërë të rëndësishëm ekuilibrin në përdorim.

Çfarë e bën kafenë potencialisht të dobishme?

Kafeja përmban një numër të madh përbërësish aktivë biologjikë, përfshirë kafeinën, polifenolet dhe substanca të tjera natyrale që ndikojnë në organizëm.

Sipas autorëve të studimit, kafeina mund të ndikojë pozitivisht në funksionin e trurit përmes mekanizmave që lidhen me uljen e stresit dhe përmirësimin e aktivitetit nervor. Po ashtu, disa nga përbërësit e saj janë të njohur për vetitë anti-inflamatore.

Studime të mëhershme kanë sugjeruar gjithashtu se konsumimi i moderuar i kafesë mund të lidhet me rrezik më të ulët të demencës dhe ngadalësim të rënies së aftësive njohëse me kalimin e moshës./N’FokusPlus/Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: