Kulla dhe Oda në Dukagjin – zemra historike e kuvendeve shqiptare

Kulla e Hoxhajve në Junik, e njohur gjerësisht si Oda e Junikut, është një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe kombëtare në Kosovë, e ndërtuar në fillim të shekullit XVIII, e që e cila nuk ishte vetëm banesë familjare, por qendër e vendimmarrjes shqiptare, e besës, e pajtimit dhe e qëndresës kombëtare.

Pronari i hershëm ishte Imer Hoxha, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit, ndërsa më vonë kulla u udhëhoq nga Avdyl Hoxha, plaku i njohur i Odës, i cili e shndërroi atë në vatër të kuvendeve, pajtimeve të gjaqeve dhe organizimit kundër pushtuesve.

Në këtë kullë ndodhën disa ngjarje, si më poshtë:

  • U zhvillua Kuvendi i Junikut (21–25 maj 1912), një nga ngjarjet kyçe para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

  • U strehuan figura madhore si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Bejta, Beqir Vokshi, Haxhi Zeka e shumë patriotë të tjerë.

  • U morën vendime jetike për rezistencën shqiptare kundër Perandorisë Osmane dhe më pas pushteteve të tjera.

Gjatë viteve 1921–1923, kur Juniku ishte zonë demarkacioni, Oda e Junikut u bë strehë e sigurt për veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndërsa Avdyl Hoxha ishte edhe kryetar i kësaj zone.

Pas vrasjes së Avdyl Hoxhës nga regjimi komunist më 1944, Brahim Hoxha vazhdoi traditën e kullës, duke e mbajtur atë si simbol të mikpritjes, burrërisë, besës dhe nderit shqiptar, edhe pse familja u persekutua rëndë.

Vlera arkitekturore e kësaj kulle:

  • Kullë fshatare prej guri, 10×10 metra, me tri kate (P+2)

  • Mure rreth 1 metër të trashë, funksion mbrojtës dhe banimi

  • Oda e burrave ruan enterier autentik: oxhak monumental, derë të gdhendur, dollapë, trapazan dhe tavan tradicional

  • Dyshekllëk druri – element i rrallë dhe me vlerë të veçantë arkitekturore

Kulla u dogj në vitin 1998 nga forcat serbe, por u restaurua në vitin 2002, duke ruajtur origjinalitetin falë projektit të mbështetur nga CHWB dhe SIDA suedeze.

Sot, Kulla e Hoxhajve është monument i mbrojtur, në gjendje shumë të mirë, shërben për banim, komunitet dhe është e hapur për vizitorë, si një dëshmi e gjallë e historisë, kulturës dhe rezistencës shqiptare./Image of Peja/Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: