Miliona euro pagesa gjyqësore nga komunat e  Rajonit të Pejës

Të dhënat e publikuara nga Instituti GAP tregojnë lëvizje të mëdha financiare në Pejë, Deçan, Klinë, Istog dhe Junik gjatë vitit 2025.

Instituti GAP ka publikuar të dhënat lidhur me pagesat që komunat e Kosovës kanë bërë për vendime gjyqësore dhe përmbarimore gjatë vitit 2025, ku në nivel vendi shuma ka arritur në mbi 126 milionë euro.

Në mesin e komunave të Rajonit të Pejës, komuna e Pejës ka paguar rreth 2.39 milionë euro, duke shënuar ulje prej 66 për qind krahasuar me vitin 2024.

Deçani rezulton me mbi 3.86 milionë euro pagesa, me një rënie prej 12 për qind, ndërsa Istogu ka paguar rreth 2.23 milionë euro apo 5 për qind më pak se një vit më parë.

Ndërkohë, Klina ka shënuar rritje të konsiderueshme të pagesave. Sipas raportit, kjo komunë ka paguar mbi 609 mijë euro gjatë vitit 2025, që paraqet rritje prej 95 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Edhe Juniku figuron në listë me rreth 171 mijë euro pagesa për vendime gjyqësore dhe përmbarimore, me ulje prej 21 për qind.

Sipas GAP-it, në total komunat e Kosovës kanë shënuar rritje prej 47 për qind të këtyre pagesave krahasuar me vitin 2024. /Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: