Një akt i jashtëzakonshëm humanizmi ka ndodhur gjatë një fluturimi transatlantik nga Vjena drejt New York-ut, ku një mjek nga Peja arriti t’i shpëtojë jetën një të riu amerikan, i cili ishte pothuajse pa shenja jete.
Protagonist i këtij rasti është Malë Dautaj, mjek me mbi 27 vjet përvojë pune, i cili u përball për herë të parë në jetë me një emergjencë të tillë gjatë fluturimit.

Ngjarjen dhe momentet dramatike, Dautaj i ka rrëfyer për Klan Kosova, duke treguar se situata u bë kritike gjatë fluturimit mbi oqean.
“Rreth orës 16:00 pasdite, gjatë fluturimit mbi oqean, në aeroplanin nga Vjena drejt New York-ut, kam vërejtur një situatë emergjente në mes të kabinës. Një djalë kishte filluar të përkeqësohej dhe u kërkua menjëherë ndihmë,” citohet se ka treguar ai.https://klankosova.tv/mjeku-nga-peja-i-shpeton-mrekullisht-jeten-ne-aeroplan-nje-te-riu-amerikan/
Sipas Dautajt, kur iu afrua pasagjerit, gjendja e tij ishte tejet e rëndë.
“U afrova pranë pacientit dhe vërejta se në ato momente ishte i shtrirë, pothuajse pa shenja jete. Fillimisht e tërhoqëm drejt pjesës së përparme të aeroplanit, ku u shtri për të mundësuar ndërhyrje më të sigurt,” ka rrëfyer mjeku nga Peja.
Në ato çaste kritike, ndërhyrja ishte jetike për fatin e të riut amerikan.
“Vrapova për të marrë mjetet nga çanta ime personale dhe më pas kërkova nga ekuipazhi çantat me pajisjet e nevojshme. Me ndihmën e një djali që më asistoi gjatë gjithë kohës, filluam trajtimin emergjent. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe, por ishte e domosdoshme ta kthenim pacientin në jetë, përndryshe situata do të ishte fatale,” ka deklaruar Dautaj për Klan Kosova.
Pas rreth 45 minutash reanimimi të pandërprerë, përpjekjet u kurorëzuan me sukses.
“Pas rreth 45 minutash ndërhyrje, pacienti hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshjen e parë. Moment jashtëzakonisht prekës,” ka thënë ai.
Momentet e rikthimit në jetë u shoqëruan me duartrokitje nga pasagjerët, ndërsa për mjekun nga Peja ky ishte një nga përjetimet më emocionale në karrierën e tij.
Rasti është raportuar nga Klan Kosova, ndërsa kompania ajrore pritet të japë një reagim zyrtar lidhur me menaxhimin e emergjencës gjatë fluturimit./Pejanefokus.net.
