Në Rajonin e Pejës gjatë kësaj fundjave kanë ndodhur incidente të ndryshme, të cilat korespondojnë me pasigurinë publike, duke u shënuar kështu incidente me armë, grabitje të armatosura, sulme dhe vjedhje të rënda.
Në orët e para të ditës së shtunë, ka ndodhur një grabitje e armatosur në një prej shtëpive në Pejë, me këtë rast janë sulmuar familjarët e saj si dhe janë vjedhur gjësende në vlerë mbi 30 mijë euro.
“GRABITJE Pejë / 20.12.2025 – 03:25. Tre viktima m/k kanë raportuar se në shtëpinë e tyre me forcë kanë hyrë tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës, thikave dhe sprey, iu kanë grabitur gjëra me vlerë para të gatshme, ari dhe një IPHON. Nuk raportohet për të lënduar, rasti është duke u hetuar”- thuhet nga raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës.
Grabitje e armatosur po ashtu ka ndodhur edhe gjatë së dielës mbrëma, në një prej barnatoreve të qytetit, ku janë marrë para.
“Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se në lokalin ku ishte duke punuar kanë hyrë dy persona të dyshuar, të panjohur dhe nën kërcënimin e thikës i kanë grabitur një kuti në të cilën ishin një shume e konsiderueshme te hollash. Të dyshuarit pas kryerjes së veprës janë larguar në këmbë ne drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore”- thotë raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës.
Vjedhjet nuk janë ndalur me kaq, kjo pasi që edhe në Istog një person ka raportuar se I është vjedhur automjeti i tij.
“VJEDHJE E RËNDË Istog / 19.12.2025 – 18:16. Më 21.12.2025 ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar policinë se i është vjedhur vetura (kombi) që ishte e parkuar në parking. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve” – tha Policia e Kosovës.
Gjatë kësaj fundjave janë shënuar edhe disa incidente me armë zjarri, për të cilat kafolur po ashtu Policia e Kosovës, por që fatmirësht nuk raportohet për të lënduar.
“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM Banje, Istog 19.12.2025, 10:10. Është raportuar se në shtëpinë e shëndetit është dëmtuar një dritare dhe një derë nga një predhë (plumb). Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe nga i njëjti është sekuestruar një armë pa municion dhe një karikator i zbrazët. Pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në raportin policor.
Përdorim i armës gjatë një ahengu familjar ka ndodhur edhe në një nga rrugët e Pejës.
“PËRDORIM I ARMËS Rr, Cenë Abdyli, Pejë / 20.12.2025 – 11:44. Është arrestuar i dyshuari m/k për shkak se i njëjti kishte shtënë me armë në një aheng familjar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja, nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë. Me urdhër të prokurorit pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”- thotë raporti i Policisë së Kosovës.
Ngjarjet e tilla që kanë ndodhur gjatë kësaj fundjave kanë nxitur ndjenjë për një siguri të brisht në rajonin e Pejës./Pejanefokus.net.
