Pejë: Ndalohen fishekzjarrët, lejohen vetëm 1 orë në natën e vitit të ri

Pejë, 19 dhjetor 2025 – Komuna e Pejës ka nxjerrë vendim zyrtar për ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në të gjithë territorin e komunës, me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe parandalimin e rrezikut nga zjarri.

Sipas vendimit të nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndalimi hyn në fuqi nga 25 dhjetori 2025 dhe do të zgjasë deri më 3 janar 2026. Gjatë kësaj periudhe, fishekzjarrët ndalohen në të gjitha hapësirat e hapura publike dhe zonat e banuara.

Megjithatë, vendimi parasheh një përjashtim të vetëm: përdorimi i fishekzjarrëve lejohet vetëm natën e ndërrimit të viteve, më 31 dhjetor, në intervalin kohor nga ora 23:30 deri në 00:30, për një kohëzgjatje prej një ore.

Zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga Inspektorati Komunal, i cili do të veprojë ndaj shkelësve sipas ligjit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Stacioni Policor në Pejë, që do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, veçanërisht gjatë natës së Vitit të Ri.

Po ashtu, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim do të jetë në gatishmëri për të reaguar në raste rreziku apo incidentesh nga zjarri, ndërsa Drejtoria për Punë Komunale dhe Shërbime Publike do të angazhohet për pastrimin dhe menaxhimin e hapësirave publike pas festave.

Nga Komuna e Pejës u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë këtë vendim dhe të kontribuojnë në një festim më të sigurt, më të qetë dhe pa rrezik për jetën, shëndetin dhe pronën publike./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: