Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se ka filluar ofrimin e një shërbimi të ri për të gjitha foshnjat e porsalindura, përmes të cilit do të realizohet skriningu neonatal për zbulimin e hershëm të pesë sëmundjeve të rënda.
Sipas spitalit, ky test kryhet në ditët e para të jetës dhe ka për qëllim identifikimin e sëmundjeve të rralla që në fazat fillestare mund të mos shfaqin simptoma, por që mund të shkaktojnë pasoja serioze nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen me kohë.
“Çdo foshnjë e lindur në Spitalin e Pejës nga tani do të kontrollohet për pesë sëmundje të rënda që në ditët e para të jetës. Ky shërbim i ri është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kujdesit ndaj të porsalindurve në rajonin e Pejës”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.
Përmes këtij programi do të kryhet kontrolli për hipotiroidizmin kongjenital, fenilketonurinë, fibrozën cistike, galaktozeminë dhe atrofinë muskulore spinale (SMA).
Nga spitali theksojnë se zbulimi i hershëm i këtyre sëmundjeve u mundëson mjekëve të fillojnë trajtimin në kohë, duke parandaluar komplikime që mund të ndikojnë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së fëmijëve.
Me fillimin e skriningut neonatal, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka avancuar standardet e kujdesit shëndetësor për foshnjat dhe familjet e tyre që nga ditët e para të jetës. /Pejanefokus.net/
