Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) janë shfaqur tensione të brendshme pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, me kërkesa për dorëheqje dhe reagime të ashpra nga të dyja palët.
Dega e LDK-së në Pejë, pas mbledhjes së Kryesisë, ka kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrje përgjegjësie nga lidershipi qendror i partisë.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë,” thuhet në qëndrimin e degës.
Sipas tyre, dorëheqja shihet si “akt moral dhe politik”, me qëllim ruajtjen e besimit të anëtarësisë dhe forcimin e standardeve demokratike brenda partisë.
Në anën tjetër, ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka kritikuar publikimin e kërkesave për dorëheqje dhe ka folur për situatën brenda partisë.
“Si nuk u ngopën kurrë?!”, ka deklaruar Abdixhiku, duke iu referuar kërkesave të degëve të Pejës dhe Lipjanit për dorëheqjen e tij.
Ai ka shtuar se pret përgjegjësi nga krerët lokalë për rezultatet e dobëta, duke theksuar se “pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë”.
Debati mes degës së Pejës dhe lidershipit qendror të LDK-së pritet të vazhdojë në ditët në vijim, në kuadër të analizave paszgjedhore brenda partisë./Pejanefokus.net/
