Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton se pas reshjeve të fundit të shiut janë paraqitur turbullira në disa burime të ujit në Rajonin e Pejës.
Sipas IKSHPK-së, në komunën e Pejës janë vërejtur turbullira në burimin e Drinit të Bardhë në Radac, por sot situata është përmirësuar dhe furnizimi me ujë vazhdon normalisht.
Ndërkohë, në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë, furnizimi me ujë është ndërprerë që nga dita e djeshme për shkak të turbullirave të shtuara. Përkohësisht, për sigurimin e ujit më të pastër, janë vënë në përdorim puset ekzistuese.
IKSHPK bën të ditur se gjendja po monitorohet vazhdimisht në bashkëpunim me qendrat rajonale dhe kompanitë e ujësjellësit, duke rekomanduar që qytetarët të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar në përdorimin e ujit.
Në rastet kur uji merret nga bunarë të pambrojtur, qytetarët këshillohen që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative të sigurta./Pejanefokus.net.
