I dënuari me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje e rëndë”, Edmond Lajçi, i është drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës me ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke kërkuar ndryshimin ose anulimin e vendimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim.
Në ankesën e dorëzuar përmes mbrojtësit të tij, avokatit Feim Alaj, pretendohet se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendim të padrejtë lidhur me sanksionin penal.
Sipas mbrojtjes, gjykatat nuk kanë vlerësuar në mënyrë të duhur rrethanat lehtësuese, pranimin e fajësisë nga ana e të dënuarit dhe raportin e ekspertizës psikiatrike, ndërsa burgimi i përjetshëm konsiderohet si dënim joproporcional me rrethanat e rastit.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Edmond Lajçi kishte kërkuar falje për veprën e kryer.
“Vetëm ju kisha kërku falje të sinqertë familjes së tani së ndjerës. Nuk gëzoj shëndet të plotë. Kam qenë në ndikim të barnave. Nuk kam qenë vetvetja. Ju kërkoj falje juve që jeni prezent këtu”, kishte deklaruar ai.
Në anën tjetër, familja e viktimës ka kërkuar që dënimi me burgim të përjetshëm të mbetet në fuqi.
Avokatja e familjes së dëmtuar, Fehmije Bytyqi, ka theksuar pasojat që rasti ka lënë tek fëmijët e viktimës.
“Fëmijët kanë një përkujdesje nga ana e gjyshërve dhe nga ana e dajve, por pasojat janë shumë të mëdha për këta fëmijë. Unë propozoj që ky aktgjykim për burgim të përjetshëm të mos ndryshohet”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, vëllai i viktimës, Shpat Ukella, ka kërkuar që dënimi të mbetet i pandryshuar.
“Pajtohem plotësisht me avokaten. Kisha dashtë me i thanë veç dy fjalë. Sa i përket ankesës, qysh e paska bo avokati i palës, ai koka i pafajshëm krejt. Ne çdo ditë si familje përballemi me vdekjen e Gjuljetës. Çdo ditë i shohim tre fëmijët e saj tu u rrit te na. Çdo ditë e vuajmë pasojën e asaj se çka ka ndodhur”, ka thënë ai.
Tashmë pritet që Gjykata Supreme e Kosovës të shqyrtojë pretendimet e paraqitura në ankesë dhe të vendosë nëse do ta lërë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm, do ta ndryshojë atë apo do ta kthejë çështjen në rigjykim./Pejanefokus.net/
