Zbulohet laborator droge në Pejë, arrestohet një person – sekuestrohen 91 bimë kanabis

Një laborator për prodhimin e narkotikëve është zbuluar dhe asgjësuar sot në fshatin Jabllanicë e Vogël të Pejës, në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Policisë së Kosovës.

Sipas komunikatës zyrtare, aksioni është realizuar nga Departamenti për Krime të Rënda në koordinim me Njësinë Anti-Drogë.

“Gjatë këtij aksioni është zbuluar dhe shkatërruar një laborator për prodhimin e narkotikëve të llojit Kanabis sativa.”

Autoritetet bëjnë të ditur se operacioni është zhvilluar në kuadër të planit “Stop drogave”, ku janë sekuestruar gjithsej 91 bimë narkotike, pajisje të sofistikuara për prodhim droge dhe një armë zjarri.

“Janë sekuestruar gjithsej 91 bimë narkotike të llojit Kanabis sativa, pajisje të sofistikuara për prodhimin e narkotikëve, si dhe një armë zjarri.”

Po ashtu, gjatë kontrollit është konstatuar edhe kyçje ilegale në rrjetin elektrik për funksionimin e laboratorit.

Policia ka arrestuar një person të dyshuar, i cili me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

“Një person i dyshuar është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.”

Sipas njoftimit, bimët narkotike janë asgjësuar, ndërsa provat e tjera do të përdoren në procedurën penale.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të kërkojë masë për sigurimin e prezencës së të dyshuarit në procedurë.

Në fund, institucionet kanë ritheksuar përkushtimin për luftimin e kriminalitetit dhe kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët.

“Inkurajohen të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës për zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike.”/Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: