Që nga viti 1986, kur është regjistruar rasti i parë me HIV/AIDS në Kosovë, e deri më sot janë evidentuar 267 raste, ndërsa 59 persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje.
Sipas të dhënave të prezantuara për Peja në Fokus nga Dr. Adnora Nurboja, drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) në rajonin e Pejës, 82% e rasteve janë meshkuj, ndërsa 18% femra.
Sipas rajoneve, numrin më të madh të rasteve e ka Prishtina me rreth 80, e pasuar nga Prizreni me rreth 35 dhe rajoni i Pejës me rreth 25 raste të regjistruara.
Vetëm gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë raportuar tri raste të reja në rajonin e Pejës, prej të cilave dy në komunën e Pejës dhe një në komunën e Istogut.
Grupmosha më e prekur mbetet ajo 25–34 vjeç, e cila përbën rreth 35% të të gjitha rasteve. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
