Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Luan Voci, ka apeluar te qytetarët dhe fermerët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe, për të parandaluar zjarret.
Sipas tij, ditëve të fundit ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar në disa raste të zjarreve në fusha, ku në shumicën e rasteve shkaku ka qenë pakujdesia njerëzore.
“U bëjmë thirrje fermerëve që të mos i djegin arat pas korrjes së grurit, pasi një veprim i tillë mund të shkaktojë përhapje të pakontrolluar të zjarreve dhe dëme të mëdha materiale e mjedisore,” ka deklaruar Voci.
Ai ka rikujtuar gjithashtu se ndezja e zjarrit në pyje, zona malore dhe hapësira natyrore është e ndaluar, duke u bërë thirrje qytetarëve që çdo rast zjarri ta raportojnë menjëherë te shërbimet kompetente. /Pejanefokus.net./Ju flet Peja/
