Sot është dita e fundit e vitit 2025 dhe po shënohen orët e fundit të tij, ndërsa sonte festohet ndërrimi i moteve, teksa kujtojmë se një vit më parë, Peja në Fokus kishte raportuar dhjetëra raste nga Rajoni i Pejës, ku kjo festë u shënua në terr për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.
Por, a rrezikohet Peja edhe sonte?
Nga KEDS kanë bërë të ditur se për festën e ndërrimit të viteve 2025-2026 janë ndërmarrë të gjitha masat organizative, teknike dhe logjistike për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pavarësisht rritjes së konsumit.
Sipas KEDS-it, rreth 500 punëtorë do të jenë të angazhuar në terren për të intervenuar menjëherë në rast të ndonjë avarie.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet paraprake në mënyrë që natën e ndërrimit të vitit të ketë furnizim stabil me energji elektrike, përkundër ngarkesës së lartë në rrjet”, kanë thënë nga KEDS, transmeton ‘Klan Kosova’
Korporata ka përmendur se Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Suhareka dhe Lipjani janë zonat që mund të përballen me vështirësi më të mëdha për shkak të kapaciteteve të limituara të transmisionit.
Peja nuk është përmendur në mesin e zonave me rrezik për ndërprerje, çka lë të kuptohet se furnizimi me energji elektrike pritet të jetë stabil edhe në Rajonin e Pejës./Pejanefokus.net.
