Distria Krasniqi ka shkëlqyer të shtunën në kryeqytetin e Francës, duke fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit 2026, gara më prestigjioze në botën e xhudos.
Xhudistja pejane ishte e pandalshme në kategorinë deri në 52 kilogramë. Në arenën e famshme “Bercy”, para rreth 15 mijë shikuesve, Distria triumfoi në finale ndaj spanjolles Ariane Toro Soler, duke konfirmuar formën e saj të jashtëzakonshme.
Rrugës drejt medaljes së artë, Krasniqi e mposhti francezen Alicia Marques, më pas brazilianen Larissa Pimenta në çerekfinale pas kohës shtesë me uazari, ndërsa në gjysmëfinale eliminoi francezen Amandine Buchard, e cilësuar si rivalja kryesore e saj, duke realizuar herët pikën “Yuko” dhe duke e kontrolluar luftën deri në fund.
Me këtë sukses, Distria Krasniqi e vazhdon traditën e medaljeve për Kosovën në Paris dhe edhe një herë e vendos Pejën në hartën botërore të sportit./Pejanefokus.net/Sport.
