“Borea” nga ëndrra e borës te basketbolli i Pejës

Një ide e skijimit turistik me emrin “Borea”, e cila vite më parë kishte lindur në periferi të Pejës, nuk arriti kurrë të bëhet realitet në shpatet e bardha, por emri nuk u shua, pasi që ai gjeti terren tjetër për të rrëshqitur drejt suksesit – parketin e basketbollit.

Sot, Borea jeton si klub basketbolli. Një projekt sportiv që nuk matet vetëm me pikë, por me durim, përkushtim dhe vizion. KB Borea, i themeluar në vitin 2016, është ndërtuar ngadalë, gur mbi gur, siç ndërtohen historitë që zgjasin.

“Me shumë punë dhe pak fjalë shkruhet historia dhe ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë. KB BOREA nuk është vetëm sport, është familje, besim, kulturë dhe edukatë…”, thuhet në një nga postimet e klubit, shoqëruar me një fotografi domethënëse: fëmijë që hedhin topat e basketbollit në ajër, njësoj si studentët që hedhin kapelet në ditën e diplomimit. – Një simbol i pastër i ëndrrave, rritjes dhe shpresës.

Sipas njoftimit më të fundit, KB Borea merr pjesë në sezon 2025/26 me gjithsej 6 ekipe, duke vazhduar rrugëtimin e zhvillimit dhe sukseseve të reja: 5 ekipe të kategorive të reja, që garojnë në nivelin më të lartë dhe rajonal: U18 Superligë, U16 Superligë, U16 Liga Perëndim, U14 Superligë, U12 Liga Perëndim.

Ekipi senior garon në Ligën e Parë të Kosovës, niveli i dytë i basketbollit vendor.

Një hap që nuk matet me nxitim, por me kohë, punë dhe besim se çdo projekt i ndërtuar drejt, herët a vonë, e gjen majën e vet.

Peja ka një emër që nuk rrëshqiti në harresë, por u ngrit në ajër – si topi në duart e një fëmije që sapo ka nisur të ëndërrojë./Pejanefokus.net./Sport/

LEXO EDHE: