Gërhitja gjatë natës, e cila shpesh konsiderohet një dukuri e zakonshme dhe e padëmshme, mund të jetë në fakt një shenjë paralajmëruese për probleme serioze shëndetësore, përfshirë presionin e lartë të gjakut.
Sipas një studimi të gjerë të realizuar nga ekspertë të çrregullimeve të gjumit në Universitetin Flinders, personat që gërhasin rregullisht – veçanërisht meshkujt në moshë të mesme me peshë të lartë trupore – kanë më shumë gjasa të zhvillojnë hipertension ose ta kenë atë të pakontrolluar.
Studimi, i publikuar në revistën “NPJ Digital Medicine”, është ndër të parët që ka përdorur pajisje të monitorimit të gjumit në kushte shtëpie gjatë një periudhe të gjatë kohore, për të analizuar lidhjen mes gërhitjes dhe tensionit të gjakut.
Autori kryesor i hulumtimit, Dr. Bastien Lechat, theksoi se rezultatet tregojnë një lidhje të qartë mes gërhitjes së shpeshtë dhe rritjes së rrezikut për hipertension. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve në studim gërhasnin për më shumë se 20% të kohës së gjumit, gjë që lidhej drejtpërdrejt me probleme të tensionit të gjakut.
Po ashtu, studiuesit theksojnë se gërhitja shpesh shfaqet bashkë me apnenë e gjumit – një gjendje ku frymëmarrja ndërpritet përkohësisht gjatë natës – duke e rritur edhe më shumë rrezikun për komplikacione kardiovaskulare.
Profesori Danny Eckert nga Universiteti Flinders theksoi se individët që gërhasin rregullisht kanë pothuajse dyfish më shumë rrezik për hipertension të pakontrolluar, krahasuar me ata që nuk e kanë këtë problem.
Sipas specialistëve, gjumi i ndërprerë mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e tensionit të gjakut, ndërsa në afatgjatë kjo mund të çojë në probleme serioze si sëmundje të zemrës, goditje në tru apo dëmtime të veshkave.
Studimi u bazua në të dhëna nga pajisje që monitoronin gjumin dhe tensionin e gjakut të mbi 12 mijë pjesëmarrësve gjatë një periudhe nëntë mujore.
Si mund të zvogëlohet gërhitja?
Ekspertët rekomandojnë disa masa të thjeshta që mund të ndihmojnë në uljen e gërhitjes, si humbja e peshës tek personat mbipeshë dhe gjumi në krah në vend të shpinës. Gjithashtu, shmangia e alkoolit, duhanit dhe barnave qetësuese para gjumit mund të ketë efekt pozitiv.
Në raste kur gërhitja ndikon edhe tek partneri, mund të ndihmojnë edhe zgjidhje praktike si pozicionimi i trupit gjatë gjumit apo përdorimi i mjeteve për reduktimin e zhurmës./N’FokusPlus/Pejanefokus.net/
