Mjekja nga Rajoni i Pejës ligjëron në kongres ndërkombëtar në Peru

Edita Blakaj-Shala, specialiste e endokrinologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, ka marrë pjesë si ligjëruese në Kongresin Rajonal të Endokrinologjisë “Endo Perú Sur 2026”, të mbajtur në Cusco të Perusë.

Mjekja nga Banja e Pejës, e cila shkollimin e mesëm e ka përfunduar në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë, ka qenë pjesë e këtij aktiviteti shkencor të organizuar nga Sociedad Peruana de Endocrinología, që ka mbledhur profesionistë shëndetësorë nga rajoni.

“Isha e nderuar të marr pjesë në Kongresin Rajonal të Endokrinologjisë Endo Perú Sur 2026, i cili u mbajt më 16–17 prill në Cusco, Peru…”, ka shkruar ajo.

LINKU I LIGJERATES:  https://www.facebook.com/watch/?v=845371017849794

Dr. Blakaj-Shala ka ligjëruar në gjuhën spanjolle me një temë mbi diabetin atipik, duke kontribuar në programin shkencor që ka përfshirë tema si diabeti, obeziteti dhe çrregullimet hormonale, me fokus në menaxhimin në kushte të lartësisë.

“Në kuadër të këtij kongresi, pata kënaqësinë të mbaj një prezantim mbi temën e diabetit atipik, duke kontribuar me ekspertizën time në këtë fushë”, ka theksuar ajo.

Në këtë kongres janë zhvilluar edhe prezantime shkencore dhe bashkëpunime ndërkombëtare mes profesionistëve të fushës së endokrinologjisë. /Pejanefokus.net/N’Fokus+/

LEXO EDHE: