Ish-ushtari nga Peja rrëfen momentin tragjik: “Ai vdiq para syve tanë”

Një dëshmi rrëqethëse vjen nga ish-ushtari i UÇK-së, Bekim Kelmendi nga Peja, i cili kujton momentet e fundit të bashkëluftëtarit të tij, Mehdi Korrani.

“Që nga ajo ditë u bëmë shokë të pandashëm – hanim bashkë, flinim bashkë dhe falnim namazin së bashku,” rrëfen ai për kohën kur u njohën në Kalimash.

Para se të niseshin drejt frontit, kujton një moment që sot merr tjetër peshë:“Kurrë nuk do t’ju lë vetëm, as ty, as Lulin.”

Më 19 prill 1999, në kulmin e betejës në Koshare, gjithçka ndryshoi.

“O Lul, u vra vëllai yt – Korri!” ishte thirrja që i ngriti menjëherë në këmbë.

“Korri ishte plagosur rëndë në gjoks… e morëm për ta dërguar te mjekët,” tregon ai, duke shtuar se gjatë rrugës, Korrani kishte ende forcë të fliste:“Kuuu, e mora një plumb… s’e kisha besu!”

Por pak çaste më vonë, gjithçka përfundoi: “Vdiq para se të arrinim te mjekët… vdiq para syve tanë.”

Edhe pas rënies, shokët nuk e lanë vetëm.

“E pastruam dhe e varrosëm me nderime ushtarake… deshëm që familja të kishte një kujtim të fundit.”- vazhdon rrëfimin Kelmendi, sypërlotur.

Ky rrëfim i drejtpërdrejtë sjell jo vetëm dhimbjen e humbjes, por edhe besnikërinë dhe lidhjen e fortë mes luftëtarëve që ndanë gjithçka – deri në momentet e fundit. /N’Fokus+/Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: