Pas takimit të zhvilluar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me ndalimin e materialeve ndërtimore në Rugovë, ka reaguar edhe përfaqësuesi i banorëve, Flamur Rexhbogaj.
Ai ka bërë të ditur se banorët kanë kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe ndryshimin e ligjit, por sipas tij, takimi ka përfunduar pa marrëveshje.
“Sot, në ambientet e Ministrisë së Mjedisit me ndërmjetësimin e deputetit Taulant Kelmendi, zhvilluam një takim me ministren Fitore Pacolli lidhur me vendimin për ndalimin e materialeve ndërtimore në Rugovë,” ka deklaruar Rexhbogaj.
Sipas tij, banorët e kanë cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të dëmshëm për jetën e komunitetit në Rugovë.
“PEZULLIMIN e menjëhershëm të këtij vendimi, të cilin e konsiderojmë të kundërligjshëm,” dhe “inicimin e ndryshimit dhe plotësimit të ligjit, për t’i dhënë një zgjidhje të përhershme dhe dinjitoze këtij problemi,” kanë qenë ndër kërkesat e paraqitura nga banorët.
“Fatkeqësisht, takimi përfundoi PA MARRËVESHJE,” është shprehur ai.
Rexhbogaj ka shtuar se banorët nuk pajtohen me propozimet e Ministrisë, pasi sipas tij ato nuk adresojnë thelbin e problemit dhe nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për qytetarët e Rugovës.
