“Shkrihen akujt” në Pejë: Komuna dhe OVL e UÇK-së bashkë për 5 Majin

Pas vitesh mosbashkëpunimi, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Pejë dhe Komuna e Pejës do ta organizojnë së bashku 5 Majin – Ditën e Dëshmorëve të Kombit Shqiptar.

Sipas agjendës zyrtare të komunës, organizimi i kësaj dite në nivel lokal i takon kryetarit që nga një vendim i Kuvendit Komunal i vitit 2010, por një bashkëpunim i tillë nuk kishte ndodhur për më shumë se një dekadë.

Raportet kishin qenë të tensionuara, ku në vitin 2024 OVL e UÇK-së në Pejë madje kishte “dekoruar” me mosmirënjohje kryetarin Gazmend Muhaxheri, duke e akuzuar për injorim të vazhdueshëm të kategorive të dala nga lufta.

Megjithatë, një kthesë duket të ketë ardhur këtë vit, pas organizimit të aktiviteteve për Epopenë e UÇK-së në mars 2026 dhe ftesës së komunës ndaj OVL-së, e cila u pranua pozitivisht.

Kryetari i OVL-UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla, tha për ‘Peja në Fokus’ se ftesa dhe vizitat e përfaqësuesve komunalë janë parë si reflektim pas kritikave, duke shtuar se bashkëpunimi është pranuar për të ruajtur vlerat e përbashkëta.

Nga ana tjetër, shefi i kabinetit të kryetarit, Faik Zekaj, bëri të ditur për ‘Peja në Fokus’ se komuna do ta mbështesë organizimin, duke mbuluar shpenzimet për lule dhe logjistikë, si për 5 Majin ashtu edhe për Ditën e Çlirimit.

Sipas agjendës, aktivitetet përfshijnë ngritjen e flamurit, homazhe dhe akademi solemne. /Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: