Dy raste të dhunës në familje dhe një tjetër i keqtrajtimit të një të miture janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Rajonin e Pejës, sipas raportit të Policisë së Kosovës.
Rasti më i rëndë lidhet me keqtrajtimin e një vajze të mitur, i cili nga autoritetet është cilësuar si “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të së martës, ku një person është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre. Pas intervistimit, viktima është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari, në konsultim me prokurorin, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në një rast tjetër të dhunës në familje, një burrë dyshohet se ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij dhe më pas është arratisur. Policia njofton se i njëjti ndodhet në kërkim.
Në rastin e tretë, që ka ndodhur po ashtu në Pejë, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj dy viktimave femra brenda familjes, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe duke i kanosur ato. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Lidhur me këtë rast janë njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale (QPS) dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa hetimet për të gjitha rastet janë në vazhdim. /Pejanefokus.net/Lajme/
