Sindikata akuzon sekretarin e ‘Hidrodrinit’ për shkelje ligjore

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” ka reaguar ashpër ndaj, siç shprehen ata, shkeljeve të rënda ligjore të pretenduara, nga Sekretari i ndërmarrjes, Ardit Berisha.

“Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” shpreh shqetësimin e saj të thellë dhe reagon fuqishëm ndaj shkeljeve të rënda ligjore të pretenduara nga Sekretari i K.R.U. Hidrodrini Sh.A. z. Ardit Berisha.”- nis komunikata.

“Bazuar në Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, konkretisht nenin 21, pika 21.4 dhe nenin 17.2, paragrafi (k), përcaktohet qartë se një zyrtar i lartë nuk mund të ushtrojë funksion në një ndërmarrje publike për një periudhë prej 36 muajsh nëse njëkohësisht mban një post politik. Pavarësisht kësaj ndalese të qartë ligjore, z. Berisha vazhdon të mbajë pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, ndërkohë që ushtron edhe funksionin e asamblistit komunal”, thuhet tutje, mes tjerash në reagimin e sindikatës.

Në reagim, sindikata thekson se kjo situatë, sipas saj, përbën shkelje të hapur të ligjit dhe cenim të integritetit institucional.

“Kjo situatë përbën shkelje të hapur të ligjit dhe cenim të rëndë të integritetit institucional”, thuhet më tej.

Po ashtu, sindikata ngre dyshime edhe për angazhim të dyfishtë dhe përdorim të resurseve publike gjatë orarit të punës, të cilat i konsideron shqetësuese për funksionimin e ndërmarrjes.

Shoqata Sindikale i ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa ligjore lidhur me rastin.

Për qëndrimin e KRU “Hidrodrini” dhe z. Ardit Berisha, janë kontaktuar palët e përmendura, por deri në publikim nuk ka pasur përgjigje./Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: