Reagon Hidrodrini: zero tolerancë ndaj pengimeve dhe kërcënimeve të mundshme

KRU “Hidrodrini” Sh.A. në Pejë ka reaguar ndaj rasteve të pengimeve dhe kërcënimeve të mundshme ndaj stafit të saj, duke theksuar se do të ketë “zero tolerancë” ndaj çdo keqpërdorimi dhe sjelljeje të tillë.

Në reagimin e Menaxhmentit Rajonal thuhet se punëtorët e kompanisë janë në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, në kushte të ndryshme atmosferike, dhe se çdo pengim i punës së tyre apo kërcënim ndaj tyre është i papranueshëm.

“ZERO TOLERANCË ndaj keqpërdoruesve që vjedhin ujin dhe kërcënojnë PUNONJËSIT e Kompanisë, të cilët 24/7, në të ftohtë e në të nxehtë, janë në shërbim të qytetarëve për ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe cilësore,” thuhet në reagim.

Po ashtu, nga “Hidrodrini” është bërë e ditur se çdo pengim i punës, kërcënim apo sulm ndaj stafit do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.

“Çdo pengim i punës së tyre, kërcënim apo sulm ndaj stafit tonë është i papranueshëm dhe do të trajtohet me seriozitet maksimal, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse,” theksohet më tej.

Në fund, kompania ka falënderuar punëtorët e saj, konsumatorët e ndërgjegjshëm dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se “uji është jetë – ta ruajmë, ta paguajmë dhe ta përdorim racionalisht.” /Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: