AAK-ja në Pejë nis një kapitull të ri me Naim Bytyqin

Është mbajtur sot Kuvendi Zgjedhor i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë, ku Naim Bytyqi është zgjedhur kryetar i degës së kësaj partie në Pejë.

Bytyqi ishte kandidati i vetëm i nominuar për të marrë drejtimin e degës, duke pasuar Dr. Ali Berishën, i cili për vite me radhë ka udhëhequr AAK-në në Pejë.

Dr. Berisha ka ushtruar edhe detyrën e kryetarit të Komunës së Pejës për dy mandate, si dhe ka qenë deputet dhe zëvendësministër i Shëndetësisë.

Naim Bytyqi, i lindur në vitin 1980, aktualisht është asamblist në Kuvendin Komunal të Pejës dhe shef i Grupit Parlamentar të AAK-së. Ai është magjistër i teknologjisë ushqimore dhe drejtor i kompanisë AgroDardania.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka histori dhe trashëgimi politike në Pejë. Pavarësisht rënieve dhe ngritjeve ndër vite, kjo parti vazhdon të mbetet emocion dhe familje politike për shumë mbështetës të saj.

Kryetari i parë i degës në themelim ishte prof. dr. Et’hem Çeku, ndërsa ndër vite në krye të degës së AAK-së në Pejë kanë qenë edhe prof. dr. Muhamet Mala, Fatmir Gashi, Naim Sahiti dhe Ali Berisha./Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: