Rruga e rrezikut në Rugovë “zgjon” ministrin pas muajsh heshtjeje

Pas shumë zhvillimeve me rrezik të lartë në Rugovë, si pasojë e reshqitjeve të dheut, rënies së gurëve dhe dëmtimeve serioze në rrugë, ministri tashmë në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, doli në terren për ta vizituar këtë trevë bashkë me bashkëpunëtorët e tij.

Vizita vjen pasi banorët e Rugovës prej kohësh kanë ngritur shqetësime për gjendjen e rënduar të aksit Pejë–Kuqishtë–Qakorr, një ndër rrugët më të rëndësishme që lidh 13 fshatra të kësaj zone turistike dhe malore.

Siç u shpreh deputeti në detyrë nga Peja, Taulant Kelmendi, delegacioni doli në terren për të parë dhe analizuar projektimin që po zhvillohet në këtë aks rrugor.

Sipas tij, pritet së shpejti hartimi i projektit të plotë për ndërtimin e rrugës, ku edhe banorët do të kenë mundësinë të japin sugjerimet e tyre.

Megjithatë, vetë deklarata e deputetit lë të kuptohet se Rugova ka mbetur gjatë në pritje të investimeve konkrete dhe ndërhyrjeve serioze infrastrukturore.

“Ky projekt përbën një nga investimet më të mëdha kapitale për zhvillimin e turizmit, përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e jetës së banorëve të Rugovës, të cilët po e presin tash e sa kohë.”

Përkundër premtimeve dhe paralajmërimeve për projekte kapitale, banorët e Rugovës vazhdojnë të përballen çdo ditë me rrugë të dëmtuara, shembje anësore dhe rrezik të vazhdueshëm në qarkullim, sidomos gjatë motit të paqëndrueshëm.

Ndryshe, hera e fundit kur publikisht u pa një vizitë nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës në Rugovë ishte në gusht të vitit 2025, gjatë organizimit të lojërave tradicionale të Rugovës. /Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: