Aktakuzë për korrupsion në patentë shoferë në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar ngritjen e aktakuzës ndaj 12 personave të pandehur, të dyshuar për përfshirje në një skemë të organizuar të korrupsionit në procesin e pajisjes me patentë shoferë në Pejë.

Sipas aktakuzës prej 391 faqesh, të pandehurit dyshohet se përmes keqpërdorimit të detyrës zyrtare, manipulimit të provave, legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe dhënies së ryshfetit, kanë mundësuar kalimin e kandidatëve në testet teorike dhe praktike pa i plotësuar kriteret ligjore.

Në mesin e të akuzuarve përfshihen zyrtarë të Qendrës për Patentë Shoferë dhe përfaqësues të auto-shkollave, të cilët dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim gjatë periudhës 2021–2024.

Sipas aktakuzës, janë përfshirë inicialet:

A.Sh., T.Sh., R.S., M.S., L.G., N.D., B.K., D.T., B.B., M.D., M.I., F.B., M.Sh., dhe F.Z.

Hetimet pretendojnë se janë lejuar kandidatë të pa regjistruar zyrtarisht të marrin pjesë në provime, janë manipuluar rezultatet e testeve, si dhe janë pranuar ryshfete që variojnë nga 300 deri në 1,000 euro.

Gjithashtu, disa përfaqësues të auto-shkollave dyshohet se kanë përfituar avantazh të padrejtë në treg duke rritur numrin e kandidatëve përmes këtyre praktikave të kundërligjshme.

Prokuroria ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjeve në fuqi.

Në fund, Prokuroria Themelore në Pejë thekson përkushtimin e saj në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend. /Pejanefokus.net/Lajme/

LEXO EDHE: