Arrestim për “manipulim me prova” pas vdekjes së punëtorit në Pejë

Një person është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë lidhur me rastin e vdekjes së një punëtori në një vendpunishte në fshatin Gllaviçicë të Pejës, rast i ndodhur më 29 prill të këtij viti.

Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Themelore në Pejë, e cila njoftoi se arrestimi është realizuar në koordinim me Drejtorinë Rajonale të Hetimeve në Pejë, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari po hetohet për veprat penale “Manipulimi me prova” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Prokuroria bëri të ditur se ndaj një familjari të të pandehurit po zhvillohen veprime hetimore për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Rasti lidhet me vdekjen e një punëtori në një vendpunishte në Gllaviçicë, për të cilin kishte raportuar edhe “Peja në Fokus” në prill të këtij viti.

Lajmi në link: https://pejanefokus.net/vdes-ne-vendin-e-punes-nje-person-ne-peje/?fbclid=IwdGRjcASKSu9jbGNrBIpJHGV4dG4DYWVtAjExAHNydGMGYXBwX2lkDDM1MDY4NTUzMTcyOAABHjtYtuYryICfD-k13k268UqCGnuJ2SJovYNhaYQ-P8H-JX6YkofnfK1bLAQy_aem_kL_MFOBXIhIiE3hHYCVegA

Prokuroria tha se do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve procedurale dhe hetimore “me qëllim të vendosjes së personave përgjegjës para drejtësisë”./Pejanefokus.net/

LEXO EDHE: