ARRU me masa të ashpra ndaj keqpërdorimit të ujit

KRU “Hidrodrini” ka publikuar vendimin e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), i cili parasheh masa të përkohshme për ndalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm gjatë sezonit veror.

Sipas vendimit, nga 1 qershori deri më 31 tetor 2026 ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm nga sistemi publik i furnizimit për larjen e automjeteve, larjen e rrugëve, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera publike apo private, ujitjen e kopshteve, livadheve dhe tokave bujqësore, mbushjen e pishinave, si dhe për çdo përdorim tjetër që nuk ka për qëllim nevojat themelore të konsumit njerëzor.

Vendimi i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU)

Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjatë muajve të verës shënohet rritje e konsiderueshme e konsumit të ujit të pijshëm, ndërsa përdorimi i tij për qëllime joesenciale ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit me ujë për qytetarët.

“Është konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e ujit të pijshëm përdoret për qëllime që nuk lidhen me nevojat themelore të konsumit njerëzor, përfshirë larjen e automjeteve, ujitjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe tokave bujqësore, si dhe mbushjen e pishinave”, thuhet në vendim.

ARRU ka obliguar kompanitë e ujësjellësit të rrisin monitorimin dhe kontrollin në terren, të identifikojnë dhe evidentojnë rastet e keqpërdorimit, si dhe të ndërmarrin masa ndaj shkelësve.

“Të ndërmarrin masa për ndërprerjen e furnizimit me ujë në rastet e shfrytëzimit që bie në kundërshtim me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në një nga pikat e vendimit.

Po ashtu, dokumenti specifikon se në rastet kur bëhet ndërprerja e furnizimit për shkak të shkeljeve, “për ndërprerjen dhe rilidhjen e shërbimit do të aplikohen tarifat sipas legjislacionit dhe tarifave në fuqi”.

ARRU vlerëson se këto masa janë të domosdoshme për mbrojtjen e interesit publik, shëndetit publik dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm gjatë sezonit veror.

Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2026 dhe do të mbetet në zbatim deri më 31 tetor 2026./Pejamefokus.net/

LEXO EDHE: