Përplasjet në LDK, reagojnë VV dhe AAK në Pejë

Përplasjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas kërkesës së degës në Pejë për dorëheqje të lidershipit qendror, janë komentuar edhe nga oponentët politikë në nivel lokal.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Naim Bytyqi ka thënë se zhvillimet në subjektet tjera politike janë çështje të brendshme të tyre dhe se fokusi duhet të mbetet te qytetarët dhe qeverisja lokale.

“Çështjet apo ngjarjet që ndodhin në subjekte të tjera, u përkasin vetë atyre subjekteve. Neve na takon t’u besojmë qytetarëve sot, në mënyrë që ata të na besojnë nesër… Peja meriton të qeveriset me seriozitet dhe dinjitet”, ka deklaruar Bytyqi.

Ndërkohë, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje (Vetëvendosje), Taulant Kelmendi ka theksuar se përplasjet brenda LDK-së janë çështje të tyre të brendshme, duke shtuar se qytetarët e Pejës kanë nevojë për qeverisje më transparente dhe me përgjegjësi.

“Përplasjet brenda LDK-së mes Lumir Abdixhikut dhe Gazmend Muhaxherit janë çështje të tyre të brendshme… Peja meriton një qeverisje që u shërben qytetarëve dhe jo klaneve të interesit”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai ka shtuar se fokusi duhet të jetë në zhvillim, transparencë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve të komunës së Pejës. /Pejanefokus.net/Ju Flet Peja/

LEXO EDHE: