Qytetarë të Pejës kanë raportuar shqetësime pas ndërrimit të njehsorëve të energjisë elektrike, duke thënë se nuk kanë pranuar fatura fizike të rrymës.
Lidhur me këto raportime, Peja në Fokus ka kërkuar sqarime nga KEDS, nga ku kanë bërë të ditur se procesi i faturimit dhe dorëzimit të faturave vazhdon të realizohet në të njëjtën mënyrë.
“Në momentin e ndërrimit të njehsorit, përmes procesverbalit të ndërrimit evidentohet gjendja e njehsorit ekzistues në kohën e zëvendësimit.
Gjatë kalkulimit të faturës për periudhën pasuese të faturimit, energjia e konsumuar deri në momentin e ndërrimit përfshihet në faturë dhe shoqërohet me njoftimin: ‘Vlera e caktuar (€) rrjedh si pasojë e ndërrimit të njehsorit’”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të KEDS.
Nga KEDS kanë theksuar se mënyra e faturimit për konsumatorët mbetet e pandryshuar dhe se dorëzimi i faturave vazhdon në përputhje me rregullat e miratuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe legjislacionin në fuqi./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
