Komuna e Pejës duhet të sigurojë 1.6 milionë euro për pagat e mësimdhënësve

Instituti i hulumtimeve “GAP” ka publikuar para disa ditësh një raport mbi gjendjen e arsimit në komunat e Kosovës, ku është analizuar edhe situata në Komunën e Pejës, si një ndër komunat më të mëdha në vend.

Lidhur me këtë raport, Redaksia e portalit “Peja në Fokus” ka kërkuar një prononcim interpretues mbi gjendjen e arsimit në Komunën e Pejës nga Bekim Salihu, Analist Politikash/Policy Analyst në Institutin “GAP”.

Sipas analizës së Institutit GAP, Komuna e Pejës është ndër komunat që do të ndikohet ndjeshëm nga mënyra e re e financimit të arsimit, ku granti i arsimit nuk bazohet më në listën e mësimdhënësve të raportuar nga komuna, por në numrin e nxënësve dhe raportin e përcaktuar nxënës–mësimdhënës.

“Nga analiza e Institutit GAP rezulton se Komuna e Pejës është një nga komunat që do të ndikohet ndjeshëm nga mënyra e re e financimit të arsimit, ku granti i arsimit nuk bazohet më në listën e mësimdhënësve të raportuar nga komuna, por në numrin e nxënësve dhe raportin e përcaktuar nxënës–mësimdhënës”, ka deklaruar Salihu.

Sipas të gjeturave të GAP-it, Komuna e Pejës ka raportuar për vitin 2026 gjithsej 1,442 mësimdhënës, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave kanë miratuar financimin vetëm për 1,303 mësimdhënës.

Kjo nënkupton se 139 mësimdhënës nuk janë përfshirë në grantin e arsimit, duke e renditur Pejën ndër komunat më të prekura nga ndryshimi i mënyrës së financimit.

Si pasojë e kësaj situate, gjatë vitit 2026, Komuna e Pejës duhet të sigurojë nga burimet e veta përmes grantit të përgjithshëm rreth 1.6 milionë euro për të mbuluar pagat e këtyre mësimdhënësve që nuk financohen më nga granti i arsimit.

Sipas GAP-it, kjo do të krijojë presion të drejtpërdrejtë mbi buxhetin komunal, pasi komuna mund të detyrohet të zhvendosë mjete nga kategori të tjera buxhetore, si mallrat dhe shërbimet, subvencionet apo investimet kapitale, për të siguruar vazhdimësinë e procesit arsimor.

“Gjatë vitit 2026, Komuna e Pejës duhet të sigurojë nga burimet e veta nëpërmjet grantit të përgjithshëm afro 1.6 milionë euro për të mbuluar pagat e këtyre mësimdhënësve që nuk financohen më nga granti i arsimit”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, ndikimi i kësaj formule të re financimi pritet të vazhdojë edhe në vitin 2027.

Bazuar në planifikimin aktual të Ministrisë së Financave, numri i mësimdhënësve të financuar për Komunën e Pejës pritet të ulet edhe për 35 mësimdhënës të tjerë, duke zbritur nga 1,303 në 1,268.

Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë ndryshim është rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve në komunën e Pejës.

Sipas të dhënave të paraqitura nga GAP, numri i nxënësve në Komunën e Pejës ka rënë nga 16,457 nxënës në vitin shkollor 2023/2024, në 15,502 nxënës në vitin 2026/2027.

Kjo rënie, së bashku me trendin e viteve paraprake, është një nga arsyet kryesore pse ministria ka ulur numrin e mësimdhënësve të financuar përmes grantit të arsimit.

Sipas analistit të Institutit “GAP”, situata paraqet një sfidë të dyfishtë për Komunën e Pejës: nga njëra anë duhet të garantojë vazhdimësinë e procesit mësimor dhe stabilitetin e sistemit arsimor, ndërsa nga ana tjetër duhet të përballojë një barrë të shtuar financiare.

“Ky rast tregon qartë se Komuna e Pejës përballet me një sfidë të dyfishtë. Nga njëra anë duhet të garantojë vazhdimësinë e procesit mësimor dhe të mbrojë stabilitetin e sistemit arsimor, ndërsa nga ana tjetër duhet të përballojë një barrë të konsiderueshme financiare që më parë mbulohej nga granti i arsimit”, ka përfunduar Salihu.

Ai ka vlerësuar se pa një proces të mirëplanifikuar të riorganizimit të rrjetit shkollor dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, ekziston rreziku që gjithnjë e më shumë mjete komunale të destinuara për investime dhe shërbime publike të orientohen drejt mbulimit të pagave të mësimdhënësve./Pejanefokus.net/JU flet Peja/

LEXO EDHE: