Banorë të disa fshatrave në pjesët periferike të Pejës kanë raportuar për një situatë shqetësuese pas zjarrit që përfshiu para dy netësh deponinë e mbeturinave në Sferkë.
Në redaksinë e Peja në Fokus kanë arritur video dhe fotografi nga banorë të Nabërgjanit, Lutogllavës dhe fshatrave përreth, të cilët pretendojnë se zonat e tyre janë mbuluar nga tymi që, sipas tyre, vjen nga deponia e mbeturinave në Sferkë.
KLIKO VIDEON: https://www.facebook.com/share/v/1LVoTYnCx9/
Një banor i kësaj ane, F.D., ka thënë për Peja në Fokus se situata është shqetësuese.
“Gjendja në Nabërgjan është alarmante. Tymi që po vjen nga djegia e deponisë së mbeturinave në Sferkë ka mbuluar të gjithë zonën, ajri është bërë i padurueshëm dhe era është shumë e rëndë. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt për ta shuar zjarrin dhe për ta mbrojtur shëndetin e banorëve”, ka deklaruar ai, duke dërguar edhe pamje nga zona.
Ndërsa një banor nga Lutogllava, B.M., ka reaguar përmes pamjeve të dërguara në redaksinë tonë.
“Mirmëngjesi nga fshati Lutogllav, sa bukuri e paparë kur zgjohesh në mëngjes në këtë tym nga mbeturinat”, ka shkruar ai.

Pas raportimeve të qytetarëve, Peja në Fokus ka kërkuar sqarime nga institucionet kompetente, përfshirë Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Pejës, ndërmarrjen “Ambienti”, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Pejë dhe Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Deri në publikimin e këtij raportimi, përgjigje janë pranuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe ndërmarrja “Ambienti”.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci, ka thënë se deri më tani nuk kanë pranuar ankesa nga qytetarët për probleme shëndetësore të lidhura me këtë situatë.
Sipas tij, qendrat e mjekësisë familjare në Zahaq, Nabërgjan dhe Leshan, të cilat mbulojnë këtë zonë, nuk kanë raportuar raste të veçanta.
Ndërkohë, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Zyra Rajonale në Pejë, kanë thënë se janë njoftuar për situatën përmes mediave.
Adnora Nurboja nga IKSHPK në Pejë ka deklaruar për Peja në Fokus se tymi nga djegia e mbeturinave mund të paraqesë rrezik për shëndetin publik.
“Prej mediave jemi të njohtuar edhe ne. Normal që ky tym ndikon në shëndetin e popullatës, pra paraqet rrezik të shëndetit publik, por kjo është çështje e Inspektoratit të Mjedisit dhe organeve të rendit publik që duhet të marrin masa ndaj atyre që ndezin mbeturinat”, ka thënë Nurboja.
Ndërkaq, nga ndërmarrja “Ambienti” kanë bërë të ditur se ekipet e tyre janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për menaxhimin e situatës në deponinë e Sferkës.
“Për këtë arsye kemi kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje urgjente nga institucionet lokale dhe qendrore”, thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje.
Lidhur me pamjet e dërguara nga banorët, ku pretendohet se shihet tym në zonat përreth deponisë, nga “Ambienti” kanë deklaruar se ajo që shihet në këto zona është mjegull dhe jo tym nga deponia.
Peja në Fokus do të vazhdojë ta përcjellë situatën dhe reagimet e institucioneve lidhur me gjendjen në deponinë e Sferkës dhe ndikimin e saj te banorët përreth. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
