Tragjedia në Istog: Gjithçka që dihet deri tani

Një aksident i rëndë trafiku që ndodhi pasditen e së hënës (20 korrik) në fshatin Shushicë të Istogut i mori jetën dy personave, ndërsa tre të tjerë mbetën të lënduar, si dhe një i arrestuar.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ndodhi rreth orës 15:20, ku u përfshinë dy vetura me targa vendore.

“Në vendin e ngjarjes ka vdekur një person, ndërsa viktima e dytë ka arritur pa shenja jete në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bëri të ditur se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa “i dyshuari ndalohet për 48 orë” dhe rasti po hetohet.

Nga ana tjetër, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se fillimisht është pranuar një paciente pa shenja jete, ndërsa më pas edhe katër të lënduar nga i njëjti aksident.

Sipas Spitalit, “një fëmijë është transferuar në QKUK, i intubuar dhe nën përcjelljen e ekipit të Anestezionit, me politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit”.

Po ashtu, një paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë me frakturë të femurit, ndërsa dy persona të tjerë janë liruar për trajtim ambulantor pasi kanë pësuar lëndime të lehta.

Për ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati, i cili ka shkruar: “Thellësisht të tronditur nga humbjet e jetëve që përjetuam sot”, duke u shprehur ngushëllime familjes dhe duke bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion.

Ndërkohë, sipas informacioneve të deritanishme, viktimat janë gjysh e mbesë nga Skenderaj, të cilët nuk arritën t’u mbijetojnë plagëve të marra në aksident.

Për vdekjen e tyre kanë reaguar edhe familjarët, duke shprehur dhimbjen për humbjen e dy anëtarëve të familjes. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/ 

LEXO EDHE: