Rreth 15 punëtorë të sigurimit, të cilët kanë shërbyer në objektet e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, pohojnë se kanë mbetur pa punë pas shkëputjes së kontratës mes kompanisë “I.S.A – International Security Association” dhe këtij institucioni.
Punëtorët kanë deklaruar për Peja në Fokus se tash e rreth tri javë nuk janë duke punuar, pasi kompania që ka qenë punëdhënësi i tyre ka ndërprerë kontratën me Universitetin.
Sipas tyre, nuk u është lëshuar ndonjë vendim zyrtar për ndërprerjen e punës, ndërsa kanë thënë se kontratat e tyre, sipas asaj që kanë kuptuar gojarisht, kanë qenë të vlefshme deri në marsin e vtit 2027.
Megjithatë, punëtorët kanë bërë të ditur se nuk posedojnë kontrata individuale me shkrim nga kompania, të cilat do të duhej t’u ishin dorëzuar gjatë punësimit.
Ata kanë treguar se çështjen e kanë adresuar edhe në Inspektoratin e Punës në Pejë, nga ku, sipas tyre, janë udhëzuar që fillimisht ankesën ta paraqesin te kompania ku kanë qenë të punësuar, e që deri më tani kanë pohuar se nuk e kanë bërë.
Universiteti: Kompania e ka shkëputur kontratën për shkak të kostove
Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Armand Krasniqi, ka deklaruar për Peja në Fokus se këta punëtorë nuk kanë qenë të punësuar nga universiteti, por nga kompania e kontraktuar për sigurimin fizik të objekteve.
Sipas tij, kontrata me kompaninë ishte lidhur në kohën kur paga minimale ishte më e ulët, ndërsa pas ndryshimeve ligjore dhe rritjes së pagës minimale, kompania kishte kërkuar ndryshimin e vlerës së kontratës.
“Ne e kemi pasur një kontratë me një kompani për sigurimin e objekteve dhe këta punëtorët janë punëtorë të kompanisë, e jo të Universitetit. Kur e kemi kontraktuar kompaninë është kontraktuar me pagën minimale që ka qenë më herët. Tash paga minimale është ngritur, ndërsa kanë kërkuar prej neve me ndryshu kontratën, por ne nuk kemi pasur mundësi për buxhet”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se universiteti nuk ka pasur mundësi financiare për ta rritur vlerën e kontratës, ndërsa kompania ka vendosur që ta ndërpresë marrëveshjen.
Sipas tij, universiteti pritet ta hapë sërish procedurën tenderuese për angazhimin e një kompanie të re të sigurimit.
Krasniqi ka bërë të ditur se aktualisht Universiteti “Haxhi Zeka” është pa sigurim fizik, pasi procedurat për një kontratë të re janë në proces.
Kompania:Ata nuk janë më punonjës të kompanisë
Nga kompania “I.S.A – International Security Association”, Fitim Gashi nga Zyra e Prokurimit e kompanisë, ka konfirmuar për Peja në Fokus se punëtorët në fjalë nuk janë më pjesë e kompanisë.
I pyetur nëse këta punëtorë vazhdojnë të jenë punonjës të kompanisë, Gashi është përgjigjur:
“Jo, nuk janë. Iu është ndërprerë kontrata”.
Sipas tij, arsyeja e ndërprerjes së kontratës me Universitetin ka qenë pamundësia për të përballuar rritjen e kostove pas hyrjes në fuqi të pagës minimale.
Ai ka deklaruar se prej janarit 2026, kur ka hyrë në fuqi paga e re minimale, kompania ka vazhduar t’i paguajë punëtorët duke e mbuluar diferencën nga buxheti i saj.
Sipas Gashit, kompania ka pasur humbje mujore, pasi kontrata me universitetin nuk është ndryshuar në përputhje me rritjen e kostove.
Ai ka thënë se kompania ka kërkuar ndryshimin e kontratës, por pasi nuk është arritur marrëveshje, është kërkuar ndërprerja e saj.
Punëtorët janë njoftuar gojarisht
I pyetur nëse punëtorët janë njoftuar me shkrim apo vetëm gojarisht për ndërprerjen e kontratave, Gashi ka thënë se njoftimi është bërë vetëm gojarisht.
Sipas tij, punëtorët janë informuar se kontratat po ndërpriteshin për shkak të pamundësisë financiare të kompanisë për të vazhduar pagesat.
Ai ka thënë se kontratat e punëtorëve kanë qenë të lidhura me vazhdimin e kontratës së kompanisë me Universitetin.
Avokati: Duhet të shqyrtohen kontratat dhe kushtet ligjore
Për këtë çështje, Peja në Fokus ka kontaktuar edhe avokatin Petrit Lladrovci, i cili ka sqaruar se në raste të tilla duhet të analizohen veçmas kontratat mes institucioneve dhe kompanive, si dhe marrëdhëniet kontraktuale mes kompanisë dhe punëtorëve.
Sipas tij, ndryshimet ligjore dhe rrethanat e reja, përfshirë edhe ndikimin financiar që mund të ketë rritja e kostove për kompaninë, duhet të shqyrtohen në raport me kontratat ekzistuese.
Ai ka theksuar se raporti mes kompanisë dhe punëtorëve varet nga përmbajtja e kontratave individuale të punës.
Në rast se kontratat përcaktojnë afate, kushte dhe obligime të caktuara, ato duhet të respektohen, ndërsa nëse parashihet që marrëdhënia e punës lidhet me kohëzgjatjen e kontratës së kompanisë me institucionin, duhet të vlerësohet nëse janë respektuar kushtet për ndërprerje.
Sipas tij, ndërprerja e marrëdhënies së punës duhet të bëhet duke respektuar procedurat ligjore, përfshirë edhe njoftimin paraprak me shkrim kur kërkohet nga ligji dhe kontrata.
Lladrovci ka shtuar se çdo dispozitë kontraktuale që bie në kundërshtim me Ligjin e Punës për ndërprerjen e marrëdhënies kontraktuale nuk mund të ketë fuqi juridike. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
