Edhe pas dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe breshëri i datës 21 korrik 2026 në disa zona të Komunës së Pejës, Komuna ka nisur procesin e evidentimit të dëmeve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin kërkesat e tyre për vlerësim.
Megjithatë, Komuna e Pejës nuk ka dhënë ndonjë garanci se dëmet e evidentuara do të kompensohen, duke bërë të ditur se vendimi për sigurimin e mjeteve financiare varet nga Qeveria e Kosovës.
Peja në Fokus ka kërkuar sqarime nga Komuna e Pejës lidhur me procesin e vlerësimit, përgjegjësitë institucionale dhe mundësinë e kompensimit për qytetarët e prekur.
Në përgjigjen zyrtare, Komuna ka bërë të ditur se aktualisht është duke pranuar kërkesat e qytetarëve, ndërsa komisioni për vlerësimin e dëmeve do të dalë në terren për verifikim.
“Aktualisht, Komuna e Pejës është duke pranuar kërkesat e qytetarëve për evidentimin e dëmeve. Qysh nesër komisioni do të dalë në verifikim për vlerësimin e dëmeve, sipas procedurave ligjore.”
Sa i përket kompensimit, Komuna thotë se kjo nuk është në kompetencën e saj.
“Komuna do ta kryejë punën në kuadër të kompetencave të saj në kohë rekord, ndërsa kompensimi varet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.”
Sipas Komunës, komisioni për vlerësimin e dëmeve është emëruar me vendim të kryetarit të Komunës dhe përbëhet nga gjashtë zyrtarë komunalë, ndërsa në rast nevoje mund të krijohen edhe nënkomisione shtesë.
Pas përfundimit të verifikimit në terren, raporti do të shqyrtohet në Kuvendin Komunal dhe më pas do t’u dërgohet institucioneve qendrore.
“Pas miratimit të raportit në Kuvendin Komunal, ai i dërgohet institucioneve qendrore. Deri më tani nuk ka asnjë vendim për sigurimin e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës.”
Komuna ka bërë të ditur se raste të kompensimit nga institucionet qendrore kanë ekzistuar në të kaluarën, por jo në vitet e fundit.
“Po, ka pasur raste të kompensimit nga institucionet, pra nga Qeveria e Kosovës, por që nga viti 2023, Qeveria e Kosovës nuk e ka bërë asnjë kompensim për qytetarët e Komunës së Pejës.”
Lidhur me kohën e përfundimit të procesit, Komuna thotë se kjo do të varet nga numri i kërkesave të qytetarëve.
“Komisioni do të punojë me një dinamikë absolute në terren. Kjo është edhe kërkesa e kryetarit z. Gazmend Muhaxheri.”
Sipas Komunës, procesi përfshin pranimin e kërkesave, daljen në terren, verifikimin e dëmeve, hartimin e raportit, miratimin në Kuvendin Komunal dhe dërgimin e tij në institucionet qendrore, të cilat vendosin për kompensimin eventual.
Komuna: Dëmet që janë në përgjegjësi të saj janë kompensuar
Në ditën kur ndodhën vërshimet e fundit, më 21 korrik 2026, zëdhënësi i Komunës së Pejës, Valmir Deçani kishte deklaruar se dëmet që janë në përgjegjësi të Komunës janë kompensuar, ndërsa për dëmet më të mëdha materiale përgjegjësia, sipas tij, i takon Qeverisë.
“Dëmet sa i përket Komunës së Pejës, janë kompenzuar. Që janë në kuadër të Komunës së Pejës. Krejt çka është përgjegjësi e Komunës së Pejës, mirëpo dëmet më të mëdha materiale të cilat duhet të kompensohen janë nga Qeveria dhe aty ka ngecur. Ne kemi ankesa në baza ditore të atyre familjeve, mundohemi t’i ndihmojmë, kemi shty proceset përpara mirëpo ka ngecur diçka në Qeveri dhe ende nuk janë kompensuar dëmet materiale të atyre familjeve të prekura”, kishte deklaruar ai, për televizionin “Kanal 10”.
Qytetarët e prekur nga vërshimet e kaluara mohojnë se janë kompensuar si dhe se ende presin
Ndërkohë, qytetarët e prekur nga vërshimet e viteve të kaluara thonë se ende nuk kanë marrë kompensim, pavarësisht vlerësimit të dëmeve nga institucionet.
Milaim Ademaj, njëri nga qytetarët e prekur rëndë nga vërshimet e mëhershme, ka treguar për Peja në Fokus se përveç dëmeve të mëdha materiale, familja e tij ka humbur edhe nusen dhe mbesën e tij të vogël si pasojë e vërshimeve.
Ai thotë se dëmi i familjes së tij është vlerësuar nga institucionet, por sipas tij, nuk ka marrë asnjë kompensim.
“Hiç, asnjë send e asnjë cent. Më është vlerësu dëmi nga Komuna diku bashkë me vëlla rreth 60 ose 70 mijë euro dëme, por asnjë cent nuk na e kanë jep. As Qeveria e as Komuna. Atje e kam rrëzu se ka me u punu jazi. Atje nuk banon kurkush. Ne kemi ndejt në atë lagje prej vitit 1978. Jemi shpërngul që tre vite. Jo mu, po krejt ata që i njoh dhe kanë pas dëme, asnjërit nuk iu kanë kompensu e asnjërit nuk i është shpronësu as send”, ka thënë Ademaj për Peja në Fokus.
Procesi i ri për evidentimin e dëmeve tashmë ka nisur, por mbetet e paqartë nëse pas përfundimit të procedurave qytetarët do të marrin kompensim dhe kur do të merret një vendim për sigurimin e mjeteve financiare nga institucionet përgjegjëse.
/Ju flet Peja/Pejanefokus.net/
