Pas një sërë aksidentesh të trafikut, përfshirë edhe raste me pasoja fatale në segmentin rrugor Kijevë–Zahaq, Policia e Kosovës ka zhvilluar një takim me kompanitë që po realizojnë punimet për zgjerimin e kësaj rruge.
Takimi u mbajt të premten në objektin e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Pejë, ku Komandanti i njësisë, Kapiten Teki Sylaj, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, diskutoi me përfaqësuesit e kompanive punëkryese për sigurinë rrugore dhe menaxhimin e qarkullimit gjatë zhvillimit të punimeve.
Sipas Policisë, vëmendje e veçantë iu kushtua fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror, si pasojë e ardhjes së bashkatdhetarëve.
“Policia e Kosovës kërkoi nga kompanitë punë-kryese që të shtojnë dhe përmirësojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor, duke vendosur shenja shtesë paralajmëruese dhe orientuese në zonat ku zhvillohen punimet, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik,” thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia njoftoi se do të vazhdojë zbatimin e planeve operative dhe masave parandaluese për rritjen e sigurisë në komunikacion, ndërsa u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të respektojnë sinjalizimin rrugor, kufizimet e shpejtësisë dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, veçanërisht në segmentet ku po zhvillohen punime. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
