Brenda vetëm shtatë ditësh, gjashtë persona kanë humbur jetën në ngjarje të ndryshme tragjike në Pejë, Istog, Deçan dhe në magjistralen Prishtinë–Pejë, duke shënuar një nga javët më të rënda të kohëve të fundit për këtë pjesë të vendit.
Seria e rasteve tragjike nisi më 20 korrik, kur dy persona humbën jetën si pasojë e një aksidenti trafiku në fshatin Shushicë të Istogut.
Më 23 korrik, një person u privua nga jeta në fshatin Strellc të Deçanit. Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi aksidentalisht, pasi viktima u qëllua nga djali i tij.
Po atë ditë, (më 23 korrik) një 19-vjeçar humbi jetën në një aksident me motoçikletë në magjistralen Prishtinë–Pejë.
Një ditë më vonë, më 24 korrik, një person tjetër humbi jetën në të njëjtën magjistrale, pasi u godit nga një veturë.
Ndërsa sot, më 27 korrik, një tjetër aksident me fatalitet u regjistrua në fshatin Veriq të Istogut, ku drejtuesi i një motoçiklete humbi jetën pas përplasjes me një kamion.
Këto pesë ngjarje tragjike, të ndodhura brenda një periudhe prej vetëm shtatë ditësh, kanë marrë jetën e gjashtë personave, duke rikthyer edhe një herë në vëmendje rëndësinë e sigurisë në trafik dhe nevojën për kujdes të shtuar, si dhe duke dëshmuar se rajoni po kalon një periudhë të rëndë me humbje të njëpasnjëshme të jetëve njerëzore.
