Siç ka raportuar portalit Peja në Fokus, Instituti GAP publikoi raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, sipas të cilit Komuna e Pejës ka grumbulluar 42 pikë nga 100 të mundshme, duke u renditur në vendin e 27-të nga 38 komunat e Kosovës.
Ky rezultat e vendos Pejën në mesin e komunave me nivel të ulët të transparencës buxhetore, ndërsa në rajonin e saj renditet e fundit pas Deçanit, Junikut dhe Istogut.
Kliko artikullin paraprak rreth të gjeturave në link: https://pejanefokus.net/peja-nder-komunat-me-transparence-te-ulet-buxhetore/

Raporti mat nivelin e publikimit të dokumenteve buxhetore, raporteve financiare, të dhënave për shpenzimet publike, subvencioneve dhe informacioneve tjera që lidhen me menaxhimin e parasë publike.
Pas publikimit të këtyre të dhënave, kanë reaguar partitë opozitare në Pejë, duke kritikuar nivelin e transparencës së Komunës.
Kryetari i Aleancës në Pejë, Naim Bytyqi, e ka cilësuar si “skandaloz” rezultatin e komunës në këtë raport.
“Instituti GAP ka publikuar raportin e tij vjetor ‘Indeksi i Transparencës Buxhetore Komunale 2025’, i cili vlerëson nivelin e transparencës buxhetore në 38 komunat e Kosovës. Komuna e Pejës renditet ndër komunat më pak transparente në Kosovë, duke arritur një nga rezultatet më të ulëta — 42 pikë”, ka shkruar Bytyqi.
Ai ka kritikuar renditjen e Pejës, duke e krahasuar me komunat me rezultate të ulëta në këtë indeks.
Ndërsa shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Pejës, Berat Ganiqi, e ka cilësuar raportin si “alarm” për pushtetin lokal.
Sipas tij, rezultati i fundit tregon rënie të transparencës krahasuar me vitet paraprake.
“Përderisa në çdo seancë na thuhet që Peja është kampione në raportet e publikuara, kjo rënie e Komunës së Pejës në Indeksin e Transparencës Buxhetore tregon të kundërtën dhe është një sinjal serioz që nuk mund të anashkalohet”, ka deklaruar Ganiqi.
Ai ka theksuar se, sipas tij, Peja nga 72.5 pikë në vitin 2022 ka rënë në 42 pikë në vitin 2025.
“Transparenca është detyrim ndaj qytetarëve. Qytetarët e Pejës meritojnë një komunë që e administron buxhetin me transparencë të plotë dhe që u jep mundësi të informohen për mënyrën se si shpenzohen paratë publike”, ka thënë ai.
Lidhur me raportin dhe vlerësimin e Institutit GAP, Peja në Fokus ka dërguar pyetje te drejtoresha e Drejtorisë së Financave në Komunën e Pejës, Diellza Berisha, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
Peja në Fokus do ta publikojë qëndrimin e Komunës nëse ai dërgohet.
