Tenderi 850 mijë euro i Pejës me kritere të pazakonta

Komuna e Pejës ka hapur një tender në vlerë të parashikuar prej 850 mijë eurosh për ndërtimin e sheshit nga Ura e Zallit deri te Ura e Hajdaragëve, por një analizë e Dosjes së Tenderit nxjerr në pah një varg kriteresh jashtëzakonisht specifike për personelin dhe makineritë e që dukshëm ngushtëon garën e kompanive që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë proces prokurimi, raporton Front Online.

Disa prej tyre ngrenë pikëpyetje serioze nëse janë proporcionalisht të nevojshme për realizimin e projektit apo nëse, në praktikë, mund ta kufizojnë konkurrencën në favor të operatorëve që tashmë posedojnë staf e pajisje me karakteristika shumë të caktuara. Portali Front Online ka analizuar Dosjen e Tenderit me numër prokurimi 635-26-6124-5-1-1, të publikuar nga Komuna e Pejës më 13 gusht 2026. Tenderi ka për objekt “Ndërtimin e sheshit prej Urës së Zallit deri te Ura e Hajdaragëve në Komunën e Pejës”, me vlerë të parashikuar prej 850 mijë eurosh, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar në 20 muaj, e ku afati për dorëzimin e ofertave është 7 shtator 2026. Megjithatë, përtej kushteve standarde ekonomike e profesionale, Komuna ka vendosur një sërë kërkesash që bien në sy për nivelin e lartë të specifikimit.

Inxhinier me ISO për sigurinë e trafikut rrugor

Një prej kritereve më të pazakonta lidhet me inxhinierin e hidroteknikës. Komuna kërkon që ky profesionist të jetë inxhinier i diplomuar ose master i ndërtimtarisë, drejtimi hidroteknik, me së paku pesë vite përvojë pune pas diplomimit. Por, krahas këtyre kërkesave profesionale, ai duhet të jetë edhe: “i certifikuar me ISO 39001-2012”. Ky standardi ISO 39001 lidhet me sistemet e menaxhimit të sigurisë së trafikut rrugor. Një kërkesë e tillë mund ta ngushtojë dukshëm numrin e profesionistëve që mund të angazhohen në projekt. Po ashtu, kërkesa tjetër që ngre pikëpyetje lidhet me menaxherin e projektit. Ai duhet të jetë inxhinier ndërtimtar, me minimum pesë vite përvojë dhe të dëshmojë se ka menaxhuar së paku tri projekte të ngjashme. Përveç kësaj, duhet të jetë i certifikuar për mbrojtje dhe siguri në punë.

Elektrinxhinieri, një seri certifikatash në një person të vetëm

Edhe më e gjerë është lista e kushteve për inxhinierin e elektroteknikës. Komuna kërkon: inxhinier të diplomuar të elektroteknikës, drejtimi elektroenergjetikë industriale, tetë vite përvojë pune, licencë Kategoria A, certifikim për menaxhimin e projekteve nga IKAP, certifikim për punë ekipore dhe specifikime, certifikim për siguri dhe shëndet në punë. Pra, të gjitha këto kërkesa duhet të plotësohen nga një profil i vetëm profesional. Veçanërisht kërkesa që certifikimi për menaxhim projektesh të jetë pikërisht nga IKAP ngre pyetje nëse Komuna do të pranonte edhe kualifikime ekuivalente nga institucione të tjera.

“Variocontrol” futet drejtpërdrejt në kriteret për makineri

Pjesa më e ndjeshme e dosjes mund të jetë lista prej 24 makinerive dhe pajisjeve që operatorët duhet të posedojnë ose t’i sigurojnë përmes marrëveshjeve të qirasë. Në pozicionin 18, Komuna kërkon: “Cilindër min. 17t vibrues ta ketë të instaluar dhe sistemin e matjes së ngjeshmërisë (Variocontrol)”. Përdorimi drejtpërdrejt i emërtimit “Variocontrol” është veçanërisht i rëndësishëm për t’u sqaruar. Dosja, së paku në tekstin e analizuar nga Front Online, nuk e shoqëron këtë emërtim me formulimin “ose ekuivalent”. Nëse “Variocontrol” përfaqëson një sistem të veçantë tregtar apo teknologji të lidhur me prodhues të caktuar, atëherë kërkesa mund të kufizojë modelet e makinerive që mund të pranohen. Për të siguruar sa më shumë konkurencë komuna do të duhej të sqaronte pse nuk është përcaktuar vetëm performanca që duhet të arrijë sistemi i matjes së ngjeshmërisë, në vend të një emërtimi konkret. Në një tjetër kriter, kërkohet: “Grejder me ripera dhe sensor nivelizimi, peshë max 9 ton”. Edhe këtu lind një pyetje e thjeshtë teknike, pse grejderi duhet të jetë pikërisht nën kufirin prej 9 tonësh. Dosja nuk shpjegon çfarë pengese teknike do të krijonte një grejder prej, shembull, 9.5 ose 10 tonësh, nëse ai do t’i kryente të njëjtat punë dhe do të posedonte sensorin e kërkuar të nivelizimit. Pesha maksimale, e kombinuar me kërkesën për ripera dhe sensor nivelizimi, po ashtu mund të reduktojë ndjeshëm numrin e modeleve që plotësojnë kriterin, raporton Front Online.

Frezë speciale maksimum 9 ton, fshesë maksimum 3 ton dhe dumper maksimum 3 ton

Kufizimet e peshës përsëriten në disa makineri të tjera. Në këtë dosje të tenderi po ashtu komuna e Pejës kërkon: Frezë speciale me dy shirita, me peshë max 9 ton, Fshesë speciale për pastrimin e trotuareve dhe pahive, pesha max 3 ton dhe  Makine vetëshkarkuese (Dumper) me peshë max 3 tonë. Kriteret nuk përcaktojnë vetëm funksionin që duhet të përmbushë pajisja, por vendosin kufij shumë të saktë të peshës. Edhe në pozicionin 11 të listës së pajisjeve kërkohet: Ekskavator special me zinxhir gome për punë urbane, krah hidraulik me thyerje të trefishtë. Edhe këtu kriteri shkon përtej përcaktimit të kapacitetit të nevojshëm për punë. Komuna përcakton konfigurimin konkret të krahut hidraulik. Pa një arsyetim teknik se pse vetëm një sistem me thyerje të trefishtë mund ta kryejë punën, ky kusht mund të përjashtojë ekskavatorë të tjerë urbanë që kryejnë të njëjtin funksion me konfigurime të ndryshme. Një tjetër pajisje e kërkuar është: Ekskavator me zingjirë dhe me goma montuese me korpë, i pajisur me laser, me peshë min. 24 ton. Ky specifikim kombinon një sërë elementesh: minimum 24 ton, konfigurim të posaçëm të lëvizjes, korpë, sistem laser. Dosja nuk tregon se çfarë lloj sistemi laser kërkohet, çfarë funksioni konkret duhet të ketë apo çfarë performance duhet të arrijë. Një kriter i tillë, pa specifikim të funksionit që duhet të realizojë pajisja, ngre pikëpyetje nëse është ndërtuar mbi nevojën reale të projektit apo mbi karakteristikat e një makinerie të caktuar.

15 punëtorë duhet të kenë pasur sigurim para se tenderi të publikohej

Një tjetër kërkesë shumë e veçantë lidhet me fuqinë punëtore. Komuna kërkon minimum 20 punëtorë. Minimum 15 prej tyre duhet të jenë të certifikuar për siguri në punë dhe, njëkohësisht, të kenë sigurim shëndetësor nga një kompani sigurimi “para datës së publikimit të kontratës”. Kjo pjesë është veçanërisht e rëndësishme. Pra, nuk mjafton që një kompani t’i angazhojë dhe sigurojë punëtorët përpara fillimit të projektit. Sigurimi duhet të ketë ekzistuar para publikimit të tenderit. Në praktikë, kjo mund t’i favorizojë kompanitë që para 13 gushtit 2026 i kanë pasur tashmë të siguruar punëtorët përkatës. Një operator tjetër, i cili mund t’i plotësojë të gjitha kërkesat dhe t’i sigurojë punëtorët menjëherë pas fitimit të kontratës, potencialisht do të mbetej jashtë garës. Komuna kërkon po ashtu në  këtë dosje të tenderit kërkon që kompania e do të aplikojë në këtë proces prokurimi  duhet të këtë Minimum 1 person të certifikuar për drenazhim të dheut dhe për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme inerte.”

24 lloje makinerish për një tender 850 mijë euro

Në total, Komuna kërkon një flotë të gjerë pajisjesh. Ndër të tjera kërkohen: 6 kamionë kiper prej minimum 15 tonësh, 4 ekskavatorë me rrota gome të kategorive të ndryshme, vinç mobil minimum 22 ton, gjysmërimorkio për bartjen e makinerive minimum 45 ton, grejder, cilindër minimum 17 ton me “Variocontrol”, ekskavator minimum 24 ton me laser, dumper, fshesë speciale, frezë speciale, dy cilindra me telekomandë, kamion kiper me vinç me parametra të veçantë. Ligjërisht, operatorëve u lejohet që pajisjet të mos i kenë domosdoshmërisht në pronësi, pasi mund të paraqesin marrëveshje për marrjen me qira. Megjithatë, problemi potencial nuk është vetëm pronësia. Çështja është sa operatorë mund të gjejnë ose posedojnë pajisje që përputhen njëkohësisht me të gjitha karakteristikat e sakta teknike të përcaktuara nga Komuna. Front Online to tu mbajnë të informuar deri në përfundim të këtij procesi të Prokurimit / Front Online /Pejanefokus.net

Burimi i informacionit të artikullit të botuar tek portali: “Front Online”: https://frontonline.net/tenderi-850-mije-euro-i-pejes-me-kritere-te-pazakonta-nga-iso-39001-te-variocontrol-e-makinerite-me-peshe-te-percaktuar/

LEXO EDHE: