“Për 15 minuta jam aty” – rrëfimi si u dorëzua i dyshuari në Istog

Ylber Lipaj tregon si e bindi Vezir Hazirajn të dorëzohej, pasi për ditë të tëra komunikoi me të dhe me babanë e tij. I dyshuar për plagosjen me armë zjarri më 7 gusht në Orroberdë të Istogut, u dorëzua në Polici pas disa ditësh qëndrimi në arrati.

Qytetari Lipaj, i cili thotë se nuk e njihte personalisht Hazirajn, tregon se pasi kishte parë postimet për rastin, i kishte shkruar në TikTok.

“Të lutem, dorëzohu, je i ri, e ke jetën përpara.”

Më pas, ai thotë se kishte kontaktuar edhe babanë e Hazirajt, Ramushin.

“Kam folur me babain e tij, Ramushin, ia kam përcjellë mesazhet më të mira, si për fëmiun tim.”

Sipas Lipajt, Haziraj kishte frikë nga raportimet në media dhe rrjete sociale.

“Ka pasur frikë nga montimet e ndryshme që më janë bërë në burg, nga rrjetet sociale, nga portalet, që po devijoj në të vërtetën dhe po më ngarkojnë jashtë asaj që kam bërë.”

Lipaj tregon se kishte frikë se qëndrimi i gjatë në mal mund të përfundonte keq.

“Unë e kam mendu që të mos pësoj se shteti pret, 5, 6 ditë dhe intervenon dhe, tu e ditë gjendjen e tij psikologjike, mund të reagoi ky, policia detyrohet ta vras. Në rastin më të keq.”

Pas disa ditësh komunikimi, sipas tij, Haziraj ishte bindur të dorëzohej.

“Unë i kam SMS-at, më ka thënë: ‘Bac, për 15 minuta jam aty’.”

Lipaj thotë se gjatë gjithë kohës ishte në kontakt me një epror policor dhe kishte planifikuar që, bashkë me babanë e Hazirajt, ta shoqëronin vetë deri te Policia.

“Bile unë kam pas me marrë vet me qu, me e dorëzu me babain e tij.”

Ai tregon se Haziraj erdhi në shtëpi nga mali para se të vinte Policia.

“Ky ka ardhë në shtëpi prej pyllit, është hy e u pastru, edhe unë ia kam marrë do bukë aty në Banjë të Pejës, ia kam marrë një shteg cigare, edhe i kemi prit ulur në tavolinë.”

Më pas, sipas Lipajt, erdhën tre apo katër policë civilë, me të cilët ai thotë se kishte komunikuar gjatë procesit.

Ai mohon se kishte pasur rezistencë gjatë dorëzimit.

“Këto që shkruajnë mediat, është rrethu e u arrestu, ka bërë rezistencë, këto janë broqkulla.”

Lipaj thotë se nuk e njihte më parë Hazirajn dhe se pas dorëzimit ai e kishte përqafuar.

“Nuk e kam takuar më herët. Më përqafoi.”

Ai tregon se Haziraj kishte publikuar edhe një video duke ia dedikuar atij dorëzimin.

“Para se me ardhë në shtëpi, ai e kishte postu një video-incizim dhe thotë kinse mua po ma dedikon dorëzimin.”

Por Lipaj thotë:

“Po të pyetesha unë, kisha thënë që s’ke nevojë me u deklaru. Unë mandej e kam pa postimin.”

Lipaj sqaron se nuk e di se si kishte ardhur deri te plagosja dhe se nuk kishte ndërhyrë për ta shmangur përgjegjësinë e Hazirajt.

“Qëllimi im ka qenë i mirë, me shpëtu këtë.”

Ai thotë se Haziraj duhet të përballet me drejtësinë, por kërkon që të trajtohet në mënyrë të duhur.

“Ky e merr dënimin për veprën që e ka bërë. Unë shpresoj të trajtohet mirë. Të shërohet, ky ka nevojë për shërim.”

Lipaj tregon se personin e plagosur e njeh, ndërsa Hazirajn jo.

“Atë të plagosurin e njohë, ka qenë njëfarë tipi gjentelmen, kam marr vesh më vonë që këta kanë qenë edhe shokë. Jetojnë afër aty.”

Ai thotë se nuk i di rrethanat që çuan deri te plagosja.

“Nuk e di se si ka ardhur deri tëk plagësa, nuk i kam pyet.”

Në fund, Lipaj thotë se ndihet mirë që ndërhyrja e tij përfundoi me dorëzimin e të dyshuarit.

“Faleminderit prej këtij dhe familjes së tij që më kanë kuptu. Ndjehem mirë.”

Një qasje njerëzore dhe komunikimi për ditë të tëra ndikuan në dorëzimin e të dyshuarit dhe shmangien e një tragjedie të mundshme.
/Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

Rrëfimin e tij, Ylber Lipaj e ka bërë në emisionin “Kosova Today”.

LEXO EDHE: