KB Peja ka njoftuar se punimet në Palestrën e Sporteve “Karagaçi” do të nisin menjëherë, pas takimit me përfaqësues të MKRS-së, operatorin e punimeve dhe drejtuesit e klubit.
“Pas diskutimeve dhe koordinimit ndërmjet të gjitha palëve, përfaqësuesit e MKRS-së, operatori i punimeve dhe drejtuesit e KB Peja u pajtuan që punimet në Palestrën ‘Karagaçi’ të nisin menjëherë, por të realizohen fillimisht në mënyrë të pjesshme dhe të koordinuar”, thuhet në njoftimin e klubit.
Në fazën e parë do të punohet në zhveshtore, banjo dhe korridore, duke i mundësuar KB Pejës të vazhdojë normalisht me stërvitjet dhe ndeshjet zyrtare.
Pas përfundimit të angazhimeve të klubit në FIBA Europe Cup, punimet do të zgjerohen edhe në pjesën e brendshme të palestrës, ku parashihen ndërhyrje në instalimet elektrike, vendosja e koshave të rinj, punime në parket dhe instalimi i ndriçimit LED.
Sipas planit, deri në fund të nëntorit punimet do të zhvillohen në mënyrë që KB Peja të përmbushë obligimet e saj sportive, ndërsa muaji dhjetor do të shfrytëzohet për avancimin dhe përfundimin e punimeve.
Objektivi është që me fillimin e kampionatit pranveror, në janar 2027, Palestra “Karagaçi” të jetë e gatshme me kushte të përmirësuara për KB Pejën, sportistët dhe tifozët.
Ndryshe, siç kishte raportuar më herët Peja në Fokus, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar kontratë me grupin e operatorëve ekonomikë NBT-ING SH.P.K. dhe EURO CONSTRUCTION NNP SH.P.K., në vlerë prej 275,251.60 euro. /Pejanefokus.net/Sport/
Kliko lajmin paraprak për rastin: https://pejanefokus.net/palestra-karagaqi-do-ti-nenshtrohet-renovimit-parashihen-mbi-275-mije-euro/
