Talenti i basketbollit nga Peja, Diar Libusha, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, teksa më 1 shtator mbushi 17 vjeç, ndërsa në të njëjtën kohë u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vazhduar shkollimin dhe zhvillimin sportiv.
Libusha, i gjatë 2.05 metra, do të jetë pjesë e Erie Preparatory Academy në Pensilvani, ku pritet të ketë mundësi të zhvillohet në një ambient më konkurrues dhe të fitojë përvojë të re në basketboll.
Ai është formuar te Borea e Pejës, ndërsa sezonin e kaluar ishte një nga lojtarët kryesorë të ekipit U18, me të cilin arriti deri në finalen e kampionatit të Kosovës.
Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendje edhe jashtë Kosovës. Me Përfaqësuesen U16, Libusha u veçua nga Eurohoops si një prej talenteve interesantë të Kampionatit Evropian, ndërsa këtë verë ishte pjesë e Kosovës U18, edhe pse ishte më i ri se shumica e bashkëlojtarëve.
Me Kosovën U18, ai u shpall kampion dhe kontribuoi në suksesin që i siguroi Kosovës promovimin në Division B.
Tash, në moshën 17-vjeçare, Libusha po e vazhdon rrugëtimin e tij nga Peja drejt Pensilvanisë, me synimin për t’u zhvilluar edhe më shumë dhe për të hapur rrugën drejt basketbollit universitar amerikan. /Pejanefokus.net/Sport
