Prindërit duan mësuesen e ditës së parë tek “Smajl Hajdaraj”

Ndërrimi i mësueses pas ditës së parë të mësimit dhe bashkimi i dy paraleleve ka shqetësuar disa prindër të nxënësve të klasës së parë. Drejtori i shkollës thotë se vendimi është marrë për shkak të numrit të nxënësve.

Disa prindër të nxënësve të klasës së parë në SHFMU “Smajl Hajdari” në Pejë i janë drejtuar Peja në Fokus, duke shprehur pakënaqësi për ndryshimin e mësueses vetëm një ditë pas fillimit të vitit shkollor.

Sipas një prindi, dy paralele kishin nisur mësimin më 1 shtator, ndërsa më pas njëra prej mësueseve është larguar dhe paralelet janë bashkuar.

Prindi thotë se ata preferojnë mësuesen e parë dhe se ndryshimi ka shkaktuar shqetësim te fëmijët.

“Na e kanë ndërru mësuesen në ditën e dytë. Jemi 10 prind që ditën e parë e patëm një mësuese, na u ndërru mësuesja ditën e dytë”, ka thënë prindi për Peja në Fokus.

Ai shton se për fëmijën e tij, i cili ka vështirësi në të folur, mësuesja e parë ishte e përshtatshme.

Drejtori: Dy paralele nuk lejohen

Për këtë çështje, Peja në Fokus ka kontaktuar drejtorin e SHFMU “Smajl Hajdari”, Zeke Muqkurtaj, i cili tha se shkolla kishte nisur vitin me dy paralele të klasës së parë, njëra me 8 dhe tjetra me 6 nxënës.

Sipas tij, numri i nxënësve nuk lejon funksionimin e dy paraleleve.

“Kemi startu me 1 shtator me 2 paralele në klasat e para, njërën me 8 nxënës e tjetrën me 6 nxënës, ku Udhëzimi Administrativ nuk e lejon. Na u ka dashte me fuzionu njërën paralele”, tha Muqkurtaj.

Drejtori bëri të ditur se njëra nga mësueset më pas ka kaluar në një shkollë tjetër, ndërsa pas bashkimit është bërë riorganizimi i stafit.

Ai tha se njëra mësuese ka 31 vjet përvojë pune, ndërsa mësuesja Flutur ka më pak përvojë dhe ka ardhur më vonë në shkollë. Sipas tij, pas riorganizimit, mësuesja me më shumë përvojë është caktuar në klasën e parë, ndërsa mësuesja Flutur në klasën e dytë.

Muqkurtaj tha se në shkollë janë gjithsej 15 nxënës të klasës së parë, ndaj, sipas tij, nuk ka mundësi që ata të vazhdojnë në dy paralele.

Peja në Fokus do të përcjellë çështjen edhe te Drejtoria e Arsimit në Pejë për të marrë sqarime lidhur me organizimin e paraleleve dhe zbatimin e Udhëzimit Administrativ./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

LEXO EDHE: