Në vitin 1999, në moshën 16-vjeçare, Dardan Luta u nis drejt Norvegjisë me një bursë studimi. Me vete mori flamurin, plisin dhe fotografitë e Pejës, të shkrepura pak javë pas përfundimit të luftës. Sot, 27 vjet më vonë, ato fotografi rikthehen në qytetin ku u shkrepën.
Në vitin 1999, vetëm një muaj e gjysmë pas përfundimit të luftës në Kosovë, Dardan Luta, atëherë 16-vjeçar, fitoi një bursë për të vazhduar shkollimin në United World College Red Cross Nordic në Norvegji.

“Me 1999, një muaj e gjysmë pas përfundimit të luftës në Kosovë, m’u nda bursa të shkoj në Norvegji, në United World College Red Cross Nordic”, kujton Luta.
Rruga drejt Norvegjisë nuk ishte e zakonshme. Dokumentet e tij shkollore nga shkolla e mesme “Shaban Spahija”, ku kishte ndjekur mësimin për dy vite, ishin djegur bashkë me shkollën dhe shtëpinë.
“ Isha 16 vjeçar, dokumentet nga shkolla e mesme ‘Shaban Spahija’ që ndjeka për 2 vite ishin djeg së bashku me shkollën/shtëpinë”, tregon ai.
Pas përpjekjeve të shumta nga Inger Gudal, e cila merrej me procesin e tij përmes zyrës së Kryqit të Kuq Norvegjez në Prishtinë, Luta mori konfirmimin se së shpejti do të udhëtonte drejt Bergenit.
Por para nisjes, kolegji kishte tri kërkesa për të: flamurin e shtetit, veshjen kombëtare dhe fotografi nga qyteti i tij.
Flamurin e bleu në pazar për 15 marka. Gjetja e veshjes kombëtare ishte më e vështirë, pasi shumë prej tyre ishin djegur gjatë luftës. Për këtë arsye, mori me vete vetëm plisin.
Ndërsa pjesën tjetër të kërkesës e plotësoi përmes fotografive të Pejës.
Më 1 shtator 1999, me një aparat të thjeshtë fotografik, Dardani fotografoi disa lagje të qytetit, duke dokumentuar Pejën në ditët e para pas luftës.
“Fotografitë që i shkrepë ditën e mërkurë, 1 shtator 1999, me një aparat shumë të thjeshtë nëpër disa lagje të ndryshme të Pejës, për t’i marrë me vete në rrugëtimin tim dyvjeçar në Norvegji, janë këto”, shprehet Luta.
27 vjet më vonë, fotografitë rikthehen në Pejë

Më 3 shtator 2026, në Galerinë e Arteve në Pejë, këto fotografi rikthehen para publikut përmes ekspozitës së Dardan Lutës.
Vetë Luta e përshkruan këtë ekspozitë me një fjali: “Unë po ia kuroj një ekspozitë Dardanit 16-vjeçar, me fotografitë që i ka shkrep menjëherë mbas luftës në vitin 1999.”
Fotografitë e shkrepura nga një 16-vjeçar në ditët e para pas luftës sot marrin një tjetër vlerë: ato nuk janë vetëm kujtime personale, por edhe një dokument vizual i Pejës së vitit 1999. /Peja në Fokus – Image of Peja
