Nga 28 gushti deri më 2 shtator, në raportet zyrtare të Policisë së Kosovës janë evidentuar gjashtë raste të ndryshme të dhunës në familje, kanosjes dhe dhunimit në rajonin e Pejës.
Monitorimi i raporteve ditore tregon se gjatë këtyre gjashtë ditëve është raportuar të paktën një rast i lidhur me dhunën çdo ditë.
Nga gjashtë rastet, tri janë raportuar në Pejë, dy në Klinë dhe një në Istog, teksa pesë raste janë cilësuar si dhunë në familje, ndërsa një rast në Istog është cilësuar si “Dhunim” dhe përfshin të mitur, e që në rastin në fjalë, dyshohet se kemi të bëjmë me dhunim seksual.
Në rastet e raportuara, viktima kanë qenë gra dhe burra, ndërsa në disa raste janë përfshirë më shumë se një viktimë. Raportet përshkruajnë sulme fizike, kanosje dhe dhunë ndaj anëtarëve të familjes.
Katër të dyshuar në mbajtje
Nga gjashtë rastet, katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa në dy raste të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Në njërin prej rasteve në Klinë është konfiskuar një thikë, ndërsa në një rast tjetër viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor.
Dyshim për dhunim seksual në Istog
Më 2 shtator, në Istog është arrestuar një i mitur, nën dyshimin për veprën penale “Dhunim”. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 24 orë.
Për shkak se rasti përfshin të mitur, detajet identifikuese të personave nuk bëhen publike, teksa dyshohet se rasti ka të bëjë me dhunim seksual.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga monitorimi i raporteve zyrtare ditore të Policisë së Kosovës nga Peja në Fokus dhe i referohen vetëm periudhës së monitoruar, ndaj nuk mund të përdoren si dëshmi se dhuna është në rritje krahasuar me periudhat e mëparshme. /Pejaneokus.net/Ju flet Peja/
